Ushtria nigeriane liron 267 të burgosur

Bota

Ushtria nigeriane liron 267 të burgosur

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 19:10

Ushtria e Nigerisë i ka liruar 267 të burgosur pasi ka konstatuar se asnjëri nga ta nuk ka lidhje me grupin militant Boko Haram. Në mesin e tyre janë edhe 72 fëmijë, disa nga të cilët nuk duket t’i kenë më shumë se 3 vjet.

Gjenerali nigerian, Haruna Umaru, ka thënë se tetë të burgosur të tjerë i janë dorëzuar policisë për hetime të mëtutjeshme.

Ai, gjatë një ceremonie në një kazermë ushtarake në qytetin verilindor Maiduguri, ka thënë se hetimet e bëra kanë treguar se të burgosurit nuk kishin lidhje me terrorizmin.

Katër nga të liruarit janë nga vendet fqinje, Kameruni dhe Nigeri.

Një grua që u lirua, tha se është mbajtur për gjashtë muaj pasi qe arrestuar nën dyshimin se ishte e dashura e një luftëtari të grupit Boko Haram.

Nuk ka shifra për numrin e personave që vazhdojnë të qëndrojnë në burgjet nigeriane.

Organizata Amnesty International ka thënë se ushtria nigeriane është përgjegjëse për vdekjen e rreth 8 mijë të burgosurve nga viti 2011. Sipas saj, ka të tillë që kanë vdekur nga torturat dhe uria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat