Statistikat e Kinës nën hetim

Bota

Statistikat e Kinës nën hetim

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 00:57

Për vite me radhë, qeveritë e botës dhe kompanitë shumëkombëshe kanë shprehur shqetësim lidhur me cilësinë e statistikave ekonomike të Kinës. Një hetim i kohëve të fundit i Partisë Komuniste ndaj Wang Baoan, kreu i Zyrës Kombëtare të Statistikave, nën dyshimet për korrupsion, i ka rritur këto shqetësime.

Ndërsa ekonomia e dytë më e madhe e botës, ka një ndikim të jashtëzakonshëm tek tregjet botërore, statistikat kineze marrin një rëndësi të madhe. Ekonomistët tani shtrojnë pyetjen: "Çfarë e nxiti qeverinë të fillojë hetimin, vetëm disa muaj pasi Wang ishte vlerësuar për këtë post tepër të rëndësishëm?"

Deri tani, nuk është plotësisht e qartë përse është vënë në shënjestër Wang.

"Nuk kam ndonjë informacion të brendshëm lidhur me thëniet për gabime në Byronë e Statistikave," - tha Penelope Prime, drejtoreshë e Qendrës Kërkimore për Kinën, me qendër në Atlanta.

“E kuptoj se ka presion për të raportuar sa më shumë shifra pozitive që të jetë e mundur, për rritjen ekonomike, por të gjithë e dinë se ekonomia kineze po ngadalësohet,"- tha studjuesja.

Disa analistë kanë sugjeruar se hetimet ndaj zotit Wang mund të kenë lidhje me punën e tij para se të emërohej në Zyrën Kombëtare të Statistikave. Cilatdo qofshin arsyet, ky veprim ka mundësi të ndikojë tek besimi ndërkombëtar tek statistikat kineze.

“Të heqësh drejtorin e statistikave për shkelje të disiplinës së partisë, veçse i jep municion atyre që dyshojnë tek statistikat e qeverisë kineze, pra është i qartë sensi negativ i këtij veprimi", - tha Jonathan Brookfield, profesor në Shkollën "Fletcher" të Ligjit dhe Diplomacisë në Universitetin "Tufts" në Shtetet e Bashkuara.

Mundet që qeveria kineze po përpiqet ta zëvendësojë zotin Wang me një person që i beson më shumë. "Të kesh personin e besuar në këtë post, mund të ndihmojë me një numër mënyrash.", - tha profesori Brookfield, i cili numëroi përfitimet që mund të nxjerrë qeveria nga ky vendim.

“Rezultati përfundimtar mund të jenë minimizimi i diçkaje të papëlqyeshme, si ngadalësimi i rritjes ekonomike", - shtoi ai.

Zyra Kombëtare e Statistikave mund ta sjellë këtë rezultat edhe pa nevojën për të mbuluar të dhënat ekzistuese. Ajo po ashtu mund të ndryshojë mënyrën e matjes së disa faktorëve dhe të kontrollojë kohën e publikimit të të dhënave.

Një prodhim i përgjithshëm i brendshëm real?

Organizata Kërkimore Ndërkombëtare prej kohësh i ka vënë në pikëpyetje shifrat e prodhimit të përgjithshëm të brendshëm të Kinës, duke thënë se ato janë ulur gjatë viteve të bumit ekonomik dhe janë rritur kur ka patur një ngadalësim të tregut, siç po ndodh tani. Disa ekonomistë thonë se rritja ekonomike e Kinës mund të jetë 1-2 për qind më e vogël se shifra 6,9 për qind që pretendon qeveria.

Agatha Kratz, studjuese në Këshillin Europian për Marrëdhënie me Jashtë, me seli në Londër, thotë se statistikat e GDP-së së Kinës nuk mund të jenë plotësisht të besueshme, sepse qeveria nuk shpjegon se si e përdor deflatorin e prodhimit të përgjithshëm të brendshëm të vendit, një matës, që përdoret për axhustimin e vlerës së mallrave dhe shërbimeve, në përshtatje me çmimet e tanishme.

Studjuesja Kratz thotë se në Kinë shifrat zbuten për arsye politike.

Por përpjekjet për t'i manipuluar statistikat nuk e ndihmojnë Pekinin, sepse ekonomistët botërorë e kanë parasysh këtë fakt kur analizojnë statistikat e Kinës.

“Prodhimi Përgjithshëm i Brendshëm i Kinës, ai i vërtetë, edhe pse manipulohet, nuk mund të fshehë prirje më të thella përcaktuese, siç janë ngadalësimi i rritjes ekonomike, për të cilën të gjithë janë të ndërgjegjshëm", - thotë studjuesja Kratz.

"Erë fallsifikimesh"

Edhe vetë qeveria kineze bën pak përpjekje për ta minimizuar faktin se të dhënat zyrtare nuk janë plotësisht të sakta.

Media shtetërore e Kinës kohët e fundit theksoi se një numër zyrtarësh në Kinën verilindore kishin pranuar se kishin fryrë shifrat e investimeve dhe të dhëna të tjera të viteve të mëparshme.

Në fakt, zyrtarët kinezë janë përpjekur për dy dekada për të kapërcyer "erën e fallsifikimeve dhe manipulimeve" në grumbullimin dhe raportimin e të dhënave.

Në vitin 1999, drejtori i atëhershmëm i Zyrës së Statistikave, Zhang Sai u ankua për "ndërhyrje administrative tek puna statistikore".

Një vit më pas, kryeministri i asaj kohe, Premier Zhu Rongji pranoi se "fallsifikimet dhe ekzagjerimet janë të shfrenuara."

Edhe gazeta e mbështetur nga shteti "China Daily" paralajmëroi se "mashtrimet statistikore do të ndikojnë tek ekonomia e vendit, duke vënë në rrezik planifikimin dhe politikat ekonomike ".

"Çudia e Shangait"

Kryetari i Bashkisë së Shangait shkaktoi habi janarin e vitit të kaluar, kur deklaroi se qyteti do të hiqte dorë nga praktika e manipulimit të objektivave të rritjes së prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. Në vend të kësaj, ai tha se qyteti do të fokusohej tek një rritje e qëndrueshme, bazuar tek novacionet.

Në mënyrë ironike, Shangai e mori këtë vendim pasi rritja ekonomike e qytetit kishte mbetur prapa shifrave të zhvillimit në shkallë kombëtare.

Një arsye përse zyrtarët theksojnë në raportet e tyre se ka rritje dhe rezultate të mira ekonomike, është ngaqë promovimet e tyre lidhen me aftësinë për të arritur objektivat e caktuar./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat