Pas votimeve në Nju Hempshër

Bota

Pas votimeve në Nju Hempshër

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 23:58

Pas votimeve të së martës në Nju Hempshër, kandidatët presidencialë janë përqëndruar tani në Karolinën e Jugut. Këto votime, të parat në një shtet jugor amerikan, do të ndihmojnë për të reduktuar listën e pretendentëve ndër radhët e republikanëve. Votuesit do ta japin përgjigjen e tyre më 20 shkurt kur bëjnë zgjedhjen mes kandidatëve republikanë. Votimet për demokratët, ku kanë mbetur vetëm dy kandidatë, bëhen më 27 shkurt.

Votimet në Ajova dhe Nju Hempshër rezultuan me fitues dhe rezultate të ndryshme për të dyja partitë. Pritet që fituesit në Karolinën e Jugut të jenë më pranë preferencës së përgjithshme në shkallë vendi. Pas fitores në Nju Hempshër mbi rivalen Hillary Clinton, demokrati Bernie Sanders po përpiqet për një fitore të re. Dje ai vizitoi komunitete të varfra në Nju Jork:

“Ai beson në ato që thotë. Ai lufton për ne. Kjo më pëlqen tek Bernie Sanders,” thotë një përkrahës.

Por Hillary Clinton gëzon mbështetje të fortë në Karolinën e Jugut dhe po punon për të rifituar epërsinë:

“Kam mësuar se ajo që ka rëndësi nuk është fakti se mund të rrëzohesh, por aftësia për t’u ngritur përsëri”.

Republikani Ted Cruz nuk arriti fitoren e papritur që shënoi në Ajova. Këtë radhë në Nju Hampshër Donald Trump siguroi fitoren dhe u rikthye në krye të listës. Disa analistë parashikojnë se ai do të fitojë në Karolinën e Jugut:

“Ka gjasa që ai të dalë shumë mirë në Karolinën e Jugut dhe pastaj republikanët duhet t’i bëjnë vetes pyetjen: a ka ndonjë kandidat që mund ta ndalë? Aktualisht, Trumpi nuk ka mbështetjen që i duhet një kandidati presidencial nga drejtuesit e partisë,” thotë analisti Chris Galderi, i cili punon në kolegjin Saint Anselm.

Por Trumpit i është shtuar një rival pasi guvernatori i Ohajos John Kasich doli në vend të dytë në Nju Hempshër dhe mund të jetë më i pëlqyeshëm për drejtuesit e partisë.

“Jam entuziast për garën në shtetet jugore. Po ashtu edhe në shtetet qendrore. Mezi pres të fillojë votimi në Miçigan,” tha zoti Kasich.

Rezultatet e dobëta në Nju Hempshër dhe Ajova detyruan dy kandidatë të tjerë të tërhiqen nga gara, guvernatorin e Nju Xhërsit Chris Christie dhe ish-drejtuesen e biznesit Carly Fiorina. Senatori nga Florida, Marco Rubio, ka marrë zemër nga rezultatet e mira në Ajova. Ish-guvernatori i Floridas, Jeb Bush nuk ka arritur rezultate optimiste në dy votimet e para, por ai vazhdon të ketë mbështetjen e donatorëve të fuqishëm dhe dy ish-presidentëve amerikanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat