Zgjedhjet në Nju Hempshër dhe politika e jashtme amerikane

Bota

Zgjedhjet në Nju Hempshër dhe politika e jashtme amerikane

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 19:10

Zgjedhjeve paraprake në Nju Hempshër u është kushtuar një rëndësi e madhe. Por në vazhdim ne do të ndalemi tek ndikimi që ka politika e jashtme amerikane tek votuesit politikisht aktivë të këtij shteti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aru Pande bisedoi me disa votues mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë.

Në këtë tubim pro-palestinez në qendër të Mançesterit nuk po flitet për motin apo për zgjedhjet paraprake, por për arsyet se pse presidenti Barack Obama ende nuk e ka mbyllur burgun e Guantanamos.

Ish-anëtari i Korpusit të Paqes, Tom Coffman thotë se ka dalë këtu për të shprehur kundërshtimin ndaj Donald Trumpit dhe Izraleit, të cilët ai i quan të dy fashistë.

"Unë e kam parë se si fashizmi u shkatërrua në Afrikën e Jugut, është koha që fashizmi të shkatërrohet edhe në Lindjen e Mesme".

Në këtë protestë të vogël, të heshtur, siguria kombëtare ose ekonomia nuk janë çështjet që do të përcaktojnë votën e Mary Wilson-it, por konflikti izraelito-palestinez që është përmendur rrallë nga politikanët.

"Të gjithë ata që kanë ndjekur atë që është duke ndodhur në Lindjen e Mesme në vitet e fundit, duhet të tregojnë kujdes për politikën e jashtme. Ne mendojmë se kjo është një çështje qëndrore për pozitën tonë në botë, sigurinë e trupave tona dhe sigurinë e popullit tonë".

Pjesë e këtij grupi të vogël protestuesish është edhe anëtari i organizatës Veteranët për Paqe, Art Desmarais, i cili vë në pikëpyetje politikën e jashtme amerikane, përfshirë luftërat në Irak dhe Afganistan.

"Çdo ushtar dëshiron të mbrojë vendin e tij, por ata duan të bëjnë këtë në bazë të ideve të drejta, mbi të cilat është themeluar vendi ynë, e jo mbi idetë që sot përdoren nga qeveria".

Kur vjen puna për votën e tij në zgjedhjet presidenciale, Art Desmarais, veteran i ushtrisë amerikane thotë se ai mendon përtej çështjeve të brendshme.

"Unë mendoj se duhet gjetur dikë që merr vendime të mira jo vetëm për ne por edhe për pjesën tjetër të botës, pra ai person duhet të ketë një kuptim për njerëzimin".

Këtë mendim kanë shumë nga pjesëmarrësit në këtë protestë, të cilët thonë se janë skeptikë se kandidatët presidencialë, demokrat apo republikan, do të jenë në gjendje të bëjë një ndryshim vërtetë pozitiv në politikën e jashtme amerikane./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat