Sanders, Trump fitojnë në Nju Hempshër

Bota

Sanders, Trump fitojnë në Nju Hempshër

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 15:52

Senatori Bernie Sanders me pikëpamje social demokrate dhe miliarderi i njohur për komentet pa dorashka, Donald Trump ishin fituesit e zgjedhjeve në Nju Hemshër mbrëmë, Sanders nga demokratët dhe Trump ndër republikanët.

Në përfundim të numërimit në 89% të qendrave, Bernie Sanders kishte siguruar 60% të votës krahasuar me 38% për ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton.

Zoti Trump siguroi një diferencë të konsiderueshme me rivalët e tjerë republikanë pasi mori 35% të votës. Pas zotit Trump u rendit guvernatori i Ohajos John Kasich me 16%.

Rezultatet ishin të ngjashme me shifrat që kishin parashikuar anketat në këtë shtet që konsiderohet liberal.

Kandidatët reagojnë

Donald Trump doli para votuesve triumfator për fjalimin e rastit. “Do ta bëjmë Amerikën një vend të madh përsëri, por me mënyra të traditës. Do të fitojmë përsëri dhe do të jemi të lumtur”.

Sanders doli para votuesve i qeshur dhe entuziast dhe në fjalim përsëri temat kryesore të mesazhit të tij:

“Së bashku po të dërgojmë një mesazh që do të dëgjohet nga Wall Street (sektori financiar – banker) e deri në Uashington, nga Mejn deri në Kaliforni. Mesazhi është se qeveria e një vendi të madh i përket popullit dhe jo vetëm një grupi të vogël të pasurish që kontribuojnë për fushata”.

Zonja Clinton doli para turmës së bashku me të shoqin, ish-presidentin Bill Clinton, foli me tone optimiste dhe përcolli konfidencë kur pranoi humbjen:

“Do ta vazhdojmë fushatën në të gjithë vendin. Do të luftojmë për çdo votë në çdo shtet; do të luftojmë për zgjidhje që sjellin ndryshime reale në jetën e njerëzve”.

Kandidatët e tjerë

Pas zotit Kasich renditeshin me pak pikë diferencë senatori Ted Cruz, ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush dhe senatori i Floridës Marco Rubio të cilët morën rreth 11% të votës.

Nuk është e qartë se si do të ndikojnë këto votime në fushatën në përgjithësi. Anketuesit thonë se fakti që Donald Trump siguroi një fitore me mbi 10% diferencë mbi të tjerët tregon se mund të dalë në krye pavarësisht nga gjithë komentet negative që ka marrë.

Një votuese thotë: “Votova për Trumpin sepse ekonomia është shumë keq dhe mendoj se ai është njeriu më i aftë për ta ndryshuaer situatën”.

Oscar Villacis është përkrahës i zonjës Clinton. “Zemra më thoshte voto për Bernie Sanders, por mendja më thoshte voto për Hillary Clinton”.

Tani fushata vazhdon në Karolinën e Jugut, ku zonja Clinton dhe zoti Trump dalin me avantazh të konsiderueshëm në anketa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat