SHBA ngrit aktakuzë për gruan e një lideri të IS-it

Bota

SHBA ngrit aktakuzë për gruan e një lideri të IS-it

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 14:21

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur aktakuzë ndaj gruas së një lideri të Shtetit Islamik, i cili është vrarë vitin e kaluar, se ka kontribuar në vdekjen e penges amerikane Kayla Muller.

Nisreen Assad Ibrahim Bahar, e njohur edhe si Umm Sayyaf, pas kapjes së saj në maj të vitit të kaluar, e ka pranuar se ajo dhe burri i saj e kanë mbajtur rob punonjësen humanitare, Kayla Muller.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se teksa ishte duke u mbajtur nga militantët, Kayla Muller është detyruar disa herë që të ketë marrdhënie seksuale me liderin e grupit militant Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.

Aktakuza në SHBA vjen një vit pas konfirmimit të vdekjes së Mueller.

Ende nuk dihet nëse Nisreen Assad Ibrahim Bahar do të ekstradohet për tu gjykuar në SHBA.

Gruaja, 25 vjeçare, është aktualisht në një qendër të paraburgimit në Irak ku gjithashtu është e akuzuar.

Bashkëshorti i saj, Abu Sayyaf, një ish-ministër i Shtetit Islamik, është vrarë në maj të vitit të kaluar, gjatë një sulmi në kompleksin ku po jetonte ai.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka thënë se e “mbështet plotësisht ndjekjen penale që po e bën Iraku ndaj Sayyaf” por sipas tyre, “sistemi amerikan i drejtësisë mbetet mjet i fuqishëm për të sjellë para drejtësisë ata që dëmtojnë qytetarët tanë jashtë vendit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat