Programi bërthamor i Koresë së Veriut

Bota

Programi bërthamor i Koresë së Veriut

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 22:59

Qëndrimi mospërfillës i Koresë së Veriut përballë dënimit ndërkombëtar për lëshimin e raketës të dielën dhe për provën bërthamore muajin e kaluar, në një farë mënyre e kanë forcuar pozitën e udhdëheqësit Kim Jong Un brenda dhe jashtë vendit të tij.

Brenda vendit, udhëheqësi i ri portretizohet nga media rreptësisht e kontrolluar nga shteti, si një udhëheqës i fuqishëm që mbron sovranitetin e vendit të tij kundër forcave armiqësore amerikane dhe jugkoreane.

Lëshimi i rraketës të dielën është cilësuar nga media shtetërore si një arritje e madhe teknologjike nga një komb që po përparon me shpejtësi dhe që u shton krenarinë koreano veriorëve.

Në një intervistë me Agjencinë Qendrore Koreane të Lajmeve, Paek Jin Hyok, student në Universitetin Kim Il Sung në Korenë e Veriut, tha “Ndjehem shumë krenar të jem student universiteti në një vend që shkëlqen në shkencë dhe teknologji që mund të lëshojë një satelit tokësor me teknologjinë e saj.”

Qendra amerikane për operacionet në hapësirë thotë se raketa e lëshuar nga Koreja e Veriut dërgoi dy objekte në orbitë, por nuk është e qartë nëse ndonjëri nga objektet po dërgon sinjale.

Asnjëherë nuk është vërenjtur ndonjë sinjal nga një satelit i ngjashëm dërguar nga Koreja e Veriut në vitin 2012 i cili sillet në orbitën e tokës çdo 95 minuta. Pheniani thotë se sateliti 100 kilogramsh ishte i pajisur me kamera për dërgimin e imazheve në tokë.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e dënoi Korenë e Veriut për testimin e teknologjisë së raketave bërthamore nën petkun e lëshimit të satelitëve, që kontribuon në zhvillimin e sistemeve të transportit të armëve bërthamore.

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e kanë ndaluar Korenë e Veriut që të zhvillojë armë bërthamore dhe teknologji të raketave bërthamore dhe kanë imponuar katër raunde sanksionesh gjithnjë e më të rrepta që nga 2006.

QËNDRIM SFIDUES NDAJ KOMUNITETIT NDËRKOMBËTAR

Lëshimi i raketës dhe provat bërthamore të Phenianit i dërgojnë një mesazh të qartë komunitetit ndërkombëtar se Koreja e Veriut nuk do të heqë dorë nga programi bërthamor.

Në vitin 2013 Koreja e Veriut miratoi politikën për zhvillim paralel të ekonomisë dhe armëve bërthamore duke i cilësuar këto dy pika si synime jetike për të ruajtur pavarësinë e vendit.

Për familjen Kim Jong Un në pushtet, rënia e Moammar Gaddafit në Libi në vitin 2011, pasi hoqi dorë nga armët bërthamore të vendit, shërbeu si një paralajmërim për të forcuar qëndrimin e tyre pro armëve bërthamore.

“Nuk mendoj se sanksionet apo ndonjë gjë tjetër, përveç forcës ose ndryshimeve të brendëshme në Korenë e Veriut, do të bëjnë këtë vend të ndryshojë rrugë. Është pjesë e identitetit të tyre,” thotë Daniel Pinkston, profesor i marrëdhënieve me jashtë në Universitetin Troy në Seul.

Lëshimi i fundit nga Korea e Veriut i një rakete me rreze të gjatë veprimi, ka shtuar shqetësimet në Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre se vendi komunist po vazhdon programin e tij të raketave balistike. Sanksionet e OKB-së e ndalojnë Phenianin të kryejë prova bërthamore apo të lëshojë raketa balistike.

Televizioni shtetëror i Koresë së Veriut njoftoi të djelën se vendi lëshoi një raketë me rreze të gjatë nga baza e saj në bregun perendimor në Tongchang-ri. Sipas njoftimit lëshimi u urdhërua nga udhëheqësi i vendit Kim Jong Un, përfundoi me sukses dhe se Pheniani do të vazhdojë të kryejë prova të tilla.

Presidentja e Koresë së Jugut, Park Guen-hye e dënoi menjëherë provën.

"Korea e Veriut injoroi paralajmërimin e komunitetit ndërkombëtar dhe bëri një provokim të papranueshëm duke lëshuar një raketë me rreze të gjatë veprimi pasi kreu provën e katërt bërthamore."

Kryeministri japonez Shinzo Abe dha një deklaratë të fortë dënimi:

"Ne do të përgjigjemi me vendosmëri, duke bashkëpunuar ngushtë me komunitetin ndërkombëtar. Ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar qytetarët tanë."

Në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ambasadorja amerikane Samantha Power bëri thirrje për një përgjigje të fuqishme ndërkombëtare:

"Republika Popullore Demokratike e Koresë do të vazhdojë të shkallëzojë tensionet në mungesë të një përgjigjeje të fuqishme dhe të detyrueshme nga komuniteti ndërkombëtar. Përparimi i programit bërthamor dhe raketave balistike nga ana e Koresë së Veriut përbën një kërcënim serioz për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare, për sigurinë dhe paqen e fqinjëve të Koresë së Veriut por edhe për sigurinë dhe paqen e mbarë botës."

Pheniani këmbëngul se lëshimi i raketës ishte një mision paqësor për hapësirën. Por moszbatimi i detyrimeve ndërkombëtare ngre pikëpyetje rreth synimit të misionit.

Shumë vëzhgues perendimorë dyshojnë se Pheniani po përpiqet të avancojë teknologjinë e raketave balistike, duke theksuar se teknologjia e përdorur për të hedhur satelitë në hapësirë mund të përdoret për mbushje bërthamore.

Sanksionet e OKB-së e ndalojnë Phenianin të kryejë prova bërthamore apo të lëshojë raketa balistike./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat