Fluksi i refugjatëve, BE-ja dërgon ushtri në kufirin greko-maqedonas

Bota

Fluksi i refugjatëve, BE-ja dërgon ushtri në kufirin greko-maqedonas

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 18:36

Bashkimi Evropian po planifikon dërgimin e forcave ushtarake në kufirin greko-maqedonas, si përpjekje për të ndalur disi valën e refugjatëve që nisen drejt Evropës.

Prestigjozja britanike “Financial Times” bën me dije se plani i propozuar nga Sllovenia po merr mbështetjen e udhëheqësve në Berlin dhe Bruksel.

Kjo lëvizje vjen në një kohë që Greqia e ka të pamundur të ruajë kufijtë e saj të jashtëm të BE-së. Plot 67 mijë refugjatë llogariten të kenë hyrë në kontinent gjatë vitit 2016 përmes Turqisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka kërkuar mbrojtje të fuqishme të kufijve të jashtëm të BE-së, pas vizitës që ajo pati në Ankara. “Kemi nevojë të mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm, sepse duam të ruajmë ‘Shengen’-in. Nëse nuk mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm, lëvizja e lirë në tregjet e brendshme ,që është edhe burimi i pasurisë sonë, është në rrezik, ndaj dhe duhet ta parandalojmë këtë. Unë mendoj se të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë dakord për këtë gjë”, tha Merkel.

Krijimi i një brezi mbrojtës në kufijtë e Greqisë me Bullgarinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë është mbështetur edhe nga ministri i Jashtëm hungarez.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat