Sinjale të qarta ndaj refugjatëve

Bota

Sinjale të qarta ndaj refugjatëve

Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 12:54

Qeveria gjermane po punon shumë fort për të zvogëluar dukshëm numrin e refugjatëve dhe sidomos për një zgjidhje evropiane për shpërndarjen e refugjatëve në BE.

Për muaj me radhë çdo ditë qindra refugjatë u përpoqën të kalonin Mesdheun dhe të vinin përmes Ballkanit në Gjermani - për muaj me radhë edhe kancelarja Angela Merkel insiston krahas një zgjidhjeje diplomatike për Sirinë, sidomos për një zgjidhje evropiane: hotspots, sigurimin më të mirë të kufirit të jashtëm dhe kuota të detyrueshme për shpërndarjen e refugjatëve në BE.

Në samitin e ardhshëm të BE-së, më 18 shkurt, udhëheqësit evropianë do të luftojnë për të gjetur një zgjidhje, por shumë i shohin shanset e saj për sukses si relativisht të ulëta: sidomos Evropa Lindore është në mënyrë të vendosur kundër sistemit të kuotave. Merkel tani është e gatshme, që ta rivlerësojë politikën e saj ndaj refugjatëve sipas rastit.

Në Berlin po mendohet tani për alternativa: nëse nuk arrihen rezultate në samitin e BE-së Gjermania rezervon të drejtën "për të marrë masa të qëllimshme për t'u treguar partnerëve të BE-së se refugjatët nuk janë vetëm një problem gjerman," - tha eksperti i CDU-së për politikën e jashtme, Roderich Kiesewetter në intervistë me DW.

Mbyllje e mundshme e kufijve

Kështu Gjermania në marrëveshje me Austrinë dhe fqinjët e tjerë mund të mbyllë për një kohë të shkurtër kufijtë për refugjatët, tha eksperti i CDU-së për politikën e jashtme. Nëse Gjermania mbyll kufijtë e saj, refugjatët ndoshta mund të grumbullohen përgjatë rrugës ballkanike dhe me këtë shpresohet që partnerët evropianë mund të detyrohen të veprojnë. Por sipas Kiesewetter duhet të garantohet që refugjatët "që mbeten përgjatë rrugës ballkanike të furnizohen me ndihma humanitare."

Për të reduktuar numrin e refugjatëve qeveria gjermane synon edhe dëbimin konsekuent të refugjatëve që nuk u miratohet kërkesa për azil në Gjermani. Këtë e theksoi gjatë një vizite në Kabul edhe ministri i Brendshëm, Thomas de Maizière.

Rikthim në vendlindje

Afganët synohet të kthehen vullnetarisht në vendlindje, në ato zona të vendit që janë të sigurta. Për këtë ata mund të marrin edhe një ndihmë financiare, tha ministri i Brendshëm, Thomas de Maizière.
Kancelarja Merkel u shpreh po ashtu që edhe kur të kthehet paqja në Siri dhe të jetë mundur IS-i, refugjatët sirianë do të rikthehen në vendin e tyre.

Në të njëjtën kohë, sipas kreut të kancelarisë Peter Altmaier, BE-ja po negocion me Turqinë dhe vende të tjera, që ato të pranojnë refugjatët që dëbohen për shkak se kanë bërë : Kjo është për të siguruar që refugjatët në të tilla raste mund të deportohen në vendet e treta, në qoftë se kthimi në vendet e tyre të origjinës nuk është i mundur.

Sinjale të pakeqkuptueshme

Gjermania synon që t'i klasifikojë Algjerinë, Tunizinë dhe Marokun si vende të sigurta origjine, në mënyrë që procedurat e azilit dhe të dëbimit nga Gjermania të mund të bëhen më të shpejta.

Edhe ministrja e Punës, Andrea Nahles, i kërcënoi në një artikull të botuar të hënën (01.02) refugjatët që nuk duan të integrohen, me shkurtim të ndihmave sociale.

Qeveria është duke punuar "shumë fort për të zvogëluar dukshëm numrin e refugjatëve", tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert në lidhje me politikën gjermane - se me çfarë mjetesh, do të merret vesh saktësisht ditët e ardhshme: deri në samitin e BE-së ka edhe tri javë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat