A ka Turqia lidhje me IS-in?

Bota

A ka Turqia lidhje me IS-in?

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 08:33

Turqia ka kërkuar nga Rusia që të sjellë prova për pohimet e saj se Ankaraja ka rrëzuar avionin ushtarak rus, në kufi me Sirinë, për të mbrojtur tregtinë e saj të naftës me grupin militant Shteti Islamik (IS).

“Nëse pretendoni diçka, duhet të sillni prova”, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan

Ai u është përgjigjur akuzave të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Nafta nga territoriet që kontrollohen nga Shteti Islamik dhe organizatat e tjera terroriste transportohet në sasi të mëdha në territorin turk. Vendimi i Turqisë për të sulmuar avionin tonë është motivuar nga synimi për të garantuar sigurinë e këtyre linjave të transportit në territorin turk”, ka thënë Putin.

Shteti Islamik siguron shumicën e parave të tij nga shitjet e paligjshme të naftës.

Erdogan ka porositur Putinin që të sjellë dokumentet në tryezë, nëse ka të tilla.

“Po veprojmë me durim. Nuk është pozitive për dy vende, të cilat kanë arritur një pozicion, i cili mund të konsiderohet partneritet strategjik, që të bëhen deklarata të tilla emocionale”, ka thënë Erdogan.

Ai po ashtu është zotuar se do të japë dorëheqje nëse akuzat se Turqia blen naftë nga Shteti Islamik, dalin të vërteta. Erdogan ka thënë se edhe Putin duhet të bëjë një gjë të tillë nëse është gabim.

Një pilot rus është vrarë dhe një tjetër ka shpëtuar kur avioni rus Su-24 është rrëzuar nga avionët turq, më 24 nëntor.

Qeveria e Turqisë ka refuzuar të kërkojë falje për incidentin.

Ankaraja thotë se avioni ka hyrë në hapësirën e saj ajrore, por ky pretendim hidhet poshtë nga Moska.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se provat nga burime të Turqisë dhe të Shteteve të Bashkuara tregojnë se avioni ka shkelur hapësirën ajrore ruse. Ngjashëm është shprehur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Douglas Lute.

“Aeroplani rus ka qenë në Turqi. Është paralajmëruar disa herë dhe ky nuk ka qenë inkursioni i parë i avionëve rusë në hapësirën ajrore turke”, ka thënë ai.

Turqia ka mohuar çdo lidhje me militantët e Shtetit Islamik dhe është pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, i cili kryen sulme ajrore kundër grupit terrorist.

Rusia po ashtu është duke kryer sulme ajrore në Siri kundër rebelëve dhe militantëve që kundërshtojnë presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Turqia është kundërshtare e fuqishme e Assadit dhe është akuzuar se ka mbyllur njërin sy për luftëtarët xhihadistë që kalojnë në Siri përmes territorit të saj.

Rusia ka vendosur sanksione ndaj Turqisë pas rrëzimit të aeroplanit, përfshirë kufizime në importin e ushqimeve turke dhe fundin e regjimit pa viza.

Deri më tash, Turqia dhe Rusia kanë pasur lidhje të rëndësishme ekonomike. Rusia ka qenë partneri i dytë më i madh tregtar i Turqisë, ndërsa mbi tre milionë turistë rusë kanë viziutuar Turqinë vitin e kaluar./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat