Davutoglu: Turqia nuk do t’i kërkojë falje Rusisë

Bota

Davutoglu: Turqia nuk do t’i kërkojë falje Rusisë

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 20:47

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu tha sot se vendi i tij nuk do të kërkojë falje për rrëzimin e një avioni luftarak rus javën e kaluar përgjatë kufirit Turqi-Siri. Zoti Davotuglu i bëri këto komente pas një takimi në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili theksoi se Turqia ka të drejtë të mbrojë hapësirën e saj ajrore.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu u tha gazetarëve pas një takimi me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel, se forcat turke bënë "detyrën" e tyre për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendit. Zoti Davutoglu tha se Turqia nuk do t’i kërkojë falje Rusisë pasi kjo është një çështje kombëtare për vendin e tij.

“Asnjë vend nuk mund të kërkojë nga ne që të kërkojmë falje për incidentin sepse ne bëmë detyrën tonë. Veprimi ynë ishte mbrojtës. Kjo është më shumë një çështje dinjiteti për ne. Ushtria jonë bëri detyrën e saj të mbrojtjes së kufijve tanë”.

Rusia nuk pajtohet me vlerësimin turk dhe thotë se avioni i saj luftarak ishte në territorin sirian kur u qëllua nga forcat turke. Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se Turqia duhet të kërkojë falje për incidentin.

Duke folur para gazetarëve pas takimit me zotin Davutoglu, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se NATO-ja është zotuar ta mbështesë Turqinë në përpjekjet për të mbrojtur kufijtë e saj.

“Turqia ka të drejtë të mbrojë veten dhe hapësirën e saj ajrore”, tha zoti Stoltenberg.

Kryeministri turk Davutoglu dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATOs Jens Stoltenberg paralajmëruan gjithashtu se incidente të tilla janë të rrezikshme për aq kohë sa Rusia dhe koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara vazhdojnë sulmet ndaj militantëve të Shtetit Islamik.

Turqia rrëzoi një avion rus të martën e kaluar pasi, sipas autoriteteve turke, avioni rus nuk përfilli paralajmërimet për shkeljen e hapësirës ajrore të Turqisë.

Ky është incidenti i parë i këtij lloji që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë dhe ka dëmtuar marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Moskës, dy fuqi të përfshira në luftën në Siri.

Turqia është pjesë e koalicionit të vendeve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara që po sulmojnë pozicionet e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, Ajo ka bërë thirrje për largimin e Presidentit sirian Bashar Al-Assad.

Rusia, e cila mbështet zotin Assad, gati dy muaj më parë filloi një fushatë ajrore ndaj kundërshtarëve të presidentit sirian. Megjithëse sulmet ruse kanë në shënjestër pozicionet e Shtetit Islamik, shumica e sulmeve të saj ajrore janë përqëndruar ndaj kundërshtarëve të zotit Assad, përfshirë grupet që mbështet Turqia.

Duke komentuar për sanksionet e Rusisë ndaj Turqisë në përgjigje të rrëzimit të avionit rus, kryeministri turk Davutoglu tha se ai shpreson se Rusia do t’i rishikojë sanksionet ekonomike ndaj Turqisë.

Sanksionet e njoftuara nga Presidenti rus Vladimir Putin kufizojnë importet ruse të disa produkteve turke, ndalojnë zgjatjen e kontratave për turqit që punojnë në Rusi dhe ndikojnë në operacionet e kompanive turke në Rusi.

Aeroplani rus u rrëzua në një zonë të kontrolluar nga rebelët në veri të Sirisë të martën e kaluar. Turqia dhe Rusia nuk pajtohen rreth vijës së tij të fluturimit, Turqia thotë se avioni rus shkeli hapësirën ajrore të vendit ndërsa Rusia këmbëngul se avioni i saj ishte në territorin e Sirisë.

Njëri nga pilotët e avionit rus u vra nga forcat kryengritëse kur po zbriste me parashutë, ndërsa piloti tjetër u shpëtua nga forcat ruse dhe ato siriane. Ankaraja ktheu sot në Rusi trupin e pilotit të vrarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat