Kazakistan: Rusia dhe Turqia, hetime të përbashkëta

Bota

Kazakistan: Rusia dhe Turqia, hetime të përbashkëta

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 10:23

Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev, ka kërkuar që Rusia dhe Turqia ta krijojnë një komision dypalësh për zhvillimin e hetimeve lidhur me rrëzimin e aeroplanit luftarak rus, përgjatë kufirit ndërmjet Turqisë e Sirisë.

Zyra e zotit Nazarbaev ka njoftuar se ai i ka thënë presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një bisede të sotme telefonike, se është i shqetësuar për keqësimin e raporteve të Ankarasë me Rusinë, për shkak të rrëzimit të aeroplanit, më 24 nëntor.

Zoti Nazarbaev i ka thënë Erdoganit se Rusia dhe Turqia duhet “të demonstrojnë qasje përgjegjëse” për ruajtjen e raporteve.

Turqia ka thënë se aeroplani luftarak rus e ka shkelur hapësirën ajrore të Turqisë dhe se piloti i kishte injoruar vërejtjet e palës turke.

Rusia insiston se aeroplani nuk është larguar nga hapësira ajrore e Turqisë.

Lidhur me këtë incident, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar sanksione ekonomike kundër Turqisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat