Poroshenko: Zija e madhe e viteve 1930, episod i “luftës së ndërmarrë nga Rusia kundër Ukrainës”

Bota

Poroshenko: Zija e madhe e viteve 1930, episod i “luftës së ndërmarrë nga Rusia kundër Ukrainës”

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 10:00

Ukrainasit bënë sot homazhe për miliona viktima të zisë së madhe të viteve 1932-1933, cilësuar nga presidenti, Petro Porochenko si një episod i “luftës së ndërmarrë nga Rusia kundër Ukrainës”.

Presidenti, Petro Poroshenko, kryeministri, Arseni Iatseniouk, tre ish-presidentë ukrainas dhe disa qindra ukrainas vendosën kallëza gruri dhe ndezën qirinj, para se të mbanin një minutë heshtje, në monumentin e viktimave të Holodomorit (“zisë së madhe”) në qendër të Kievit.

Poroshenko konfirmoi se kjo faqe tragjike e historisë ukrainase ishte një episod i luftës hibride shekullore kryer sipas tij nga Rusia kundër Ukrainës për të mposhtur dëshirën për pavarësi të ukrainasve.

Luftë hibride është një term i përdorur gjerësisht në Ukrainë dhe në Perëndim për të cilësuar konfliktin e armatosur në lindje mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve prorusë, që ka shkaktuar më shumë se 8 000 të vdekur që prej shpërthimit në prill të vitit 2014.

Moska përgënjeshtron çdo përfshirje në këtë konflikt që shpërtheu një muaj pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, pas protestave pro-evropiane, shtypur me gjak në Kiev dhe që shkaktuan rrëzimin e regjimit prorus të presidentit, Viktor Janukovitç.

“Që prej 21 muajsh, Ukraina lufton kundër agresionit rus. Urrejtja e Rusisë kundër Ukrainsë së pavarur mbetet e pandryshuar”, theksoi Poroshenko.

“Jam i bindur se ‘zija e madhe’ nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishim humbur shtetin tonë të pavarur në vitet 1920”, shtoi ai.

Në vitin 1932, regjimi sovjetik i Stalinit nisi një fushatë të kolektivizimit të detyruar gjatë cilit ai mori në kontroll farërat, grurin, miellin, zarzavatet dhe bagëtitë duke i zhytur fshatarët në uri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat