Me avionë Tornado kundër IS?

Bota

Me avionë Tornado kundër IS?

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 10:27

Ndihmë të shpejtë në luftë kundër terrorizmit i premtoi Kancelarja gjermane, Angela Merkel Presidentit francez, François Hollande të mërkurën në mbrëmje në Paris. Që 24 orë më vonë, ndihma mund të merrte forma konkrete: "Ne do të forcojmë jo vetëm misionin e trajnimit në Irakun e Veriut, por do të angazhohemi në luftën kundër terrorit të Shtetit Islamik në Siri me avionë zbulues Tornado RECCE," deklaroi zëdhënësi i Grupit Parlamentar CDU/CSU, Henning Otte në Berlin. Ministria gjermane e Mbrojtjes nuk donte ta komentonte deklaratën e tij.
Kancelarja Merkel zhvilloi të enjten pasdite konsultime me Ministren e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, ministrin e Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier dhe Ministrin e Brendshëm, Thomas de Maiziere për kontributet e ndryshme të Gjermanisë. Pas kësaj, ishin planifikuar takime të vecanta të Grupeve Parlamentare të partive unioniste dhe të SPD.

Kërkesë për avionë Tornado

Po diskutohet angazhimi i avionëve të zbulimit Tornado të Bundeswehrit në Siri dhe në Irakun e Veriut. Këta avionë Tornado të tipit "RECCE" do të konstatojnë pozicione të milicëve të Shtetit Islamik, i tha politikani për çështjet e mbrojtjes i CDU-së, Roderich Kiesewetter DW. "Unë nuk e konsideroj me dobi angazhimin e një flote tjetër bombarduese, kur të tjerët tashmë bombardojnë atje", tha Kiesewetter. "Ne gjermanët duhet të kontribuojmë me aftësitë që u mungojnë të tjerëve." IS zotëron raketa moderne kundërajrore iraniane dhe është "një kundërshtar për ta marrë shumë seriozisht". Por mandatin e Bundeswehrit duhet ta aprovojë më parë Bundestagu. Edhe një mandat i KS të OKB-së do të ishte i dëshirueshëm, thuhet në Grupin Parlamentar CDU/CSU.

Fotografi nga lart

Tornadot "Recce" kanë mbështetur disa misione ushtarake ndërkombëtare, si p.sh. në Ballkan ose në Afganistan. Atje, gjashtë Tornado gjermane u dhanë partnerëve të NATO-s informacione për pozicionet e talibanëve. "Shumë pozitive" kanë qenë përvojat në Afganistan, deklaroi politikani i politikës së jashtme dhe ish-Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Franz Josef Jung. Në lidhje me Sirinë ai tha: "Tornadot mund të konstatojnë me siguri në rast nevoje se ku ndodhen trupat terroriste." Sfida më e madhe në misione të tilla mbetet koordinimi brenda koalicionit Anti-IS, i tha Kiesewetter DW. Një ngjarje e tillë si rrëzimi i një avioni luftarak rus nga aviacioni turk nuk duhet të përsëritet më. Objektivi primar mbetet gjetja e një zgjidhjeje për Sirinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat