Turqi: Publikohet audioja e tërheqjes së vërejtjes

Bota

Turqi: Publikohet audioja e tërheqjes së vërejtjes

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 08:19

Ushtria e Turqisë e ka publikuar audion e asaj që thotë se është tërheqje e qartë e vërejtjes për aeroplanin luftarak rus, para se ai të qëllohej afër kufirit të Sirisë.

Zëri në audio incizim mund të dëgjohet duke thënë në gjuhën angleze: “ndryshoni drejtimin e juaj për në jug menjëherë”. Ky mesazh përsëritet disa herë.

Piloti që ka mbijetuar nga rrëzimi i aeroplanit rus, që është qëlluar nga Turqia në kufirin Turqi – Siri, ka thënë se nuk e ka dëgjuar marrjen e alarmit.

Turqia ka insistuar se i ka dhënë 10 vërejtje aeroplanit pesë minuta para se ai është qëlluar dhe rrëzuar pardje.

Por, piloti rus, Konstantin Murakhtin, 24 vjeçar, të cilin pas katapultimit e kanë shpëtuar forcat speciale ruse, thotë se “nuk ka pasur tërheqje të vërejtjes, as nëpërmjet radio lidhjes e as në mënyrë vizuele”.

Kolegu i tij, piloti tjetër në kabinën e aeroplanit luftarak rus, Su-24, është vrarë nga të shtënat derisa ishte katapultuar nga aeroplani që ishte përfshirë nga flaka.

Ky incident ka shkaktuar rritje të tensioneve ndërmjet Turqisë dhe Rusisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat