Biden, të mërkurën në Kroaci

Bota

Biden, të mërkurën në Kroaci

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 18:20

Nënpresidenti amerikan Joe Biden shkon të mërkurën në Kroaci për të diskutuar mbi fluksin e emigrantëve, çështjet e energjisë dhe luftën kundër terrorizmit me zyrtarët kroatë dhe presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk.

Takimet do të zhvillohen në periferi të samitit të udhëheqësve të Evropës Juglindore në Zagreb të organizuar nga presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe presidenti slloven, Borut Pahor.

Në samitin që pritet të mbizotërohet nga çështja e imigrantëve do të marrin pjesë udhëheqësit e Kroacisë, Serbisë, Bosnjes, Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Javën e kaluar, Kroacia, Sllovenia, Serbia dhe Maqedonia njoftuan kufizime duke lejuar hyrjen ne vendet e tyre vetëm të refugjatëve që vijnë nga zonat e luftës në Siri, Irak dhe Afganistan. Kufizimet kanë çuar në protesta disa ditëshe të emigrantëve dhe thirrje nga Kombet e Bashkuara dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim që këto vende të ri-themelojnë mekanizma koordinues dhe të ndihmojnë në krijimin e rrugëve të sigurta të kalimit për njerëzit e shpërngulur nga konflikti.

Udhëheqësit kroatë dhe sllovenë u takuan përpara samitit dhe theksuan nevojën për të dalë me një zgjidhje humane që e ul ndjeshëm numrin e emigrantëve që kalojnë nëpër Ballkan.

Samiti që do të mbahet të mërkurën, si dhe takimet e nënpresidentit Biden me presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk dhe presidenten e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviç, do të përfshijë edhe diskutime për çështje të sigurisë që lidhen me konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat