Greqi: Momenti më i vështirë ende nuk ka ardhur

Bota

Greqi: Momenti më i vështirë ende nuk ka ardhur

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 11:01

Edhe pse ministrat e Financave të eurozonës dhanë dritën jeshile për ndihma financiare për Greqinë, ky vend nuk e ka kaluar pikën kritike. Reformat e ashpra ende nuk kanë filluar të vihen në jetë.

Epoka e masave të kursimit për grekët nuk ka marrë fund. Të enjten parlamenti grek miratoi me shpejtësi një paketë të premtuar reformash për të marrë dritën jeshile për një këst të ri të kredisë prej 12 miliardë eurosh, këtu bëjnë pjesë edhe 10 miliardë euro për rekapitalizimin e bankave. Pikë e nxehtë debati ishte mënyra e veprimit me kreditë e këqija dhe debitorët e paaftë për të paguar, edhe me miratimin e ndihmave të reja kjo pikë mbetet e hapur, autoriteteve përkatëse po u lihet një hapësirë kohe për të konkluduar në një zgjidhje. Edhe planet për rritjen e tatimeve në vlerë 5,7 miliardë euro, si edhe edhe tatimi i posaçëm mbi verën nuk do të duartrokiten nga njerëzit në Greqi.

Por prova më e vështirë për Alexis Tsipras ende nuk ka ardhur. Deri në fund të vitit duhet të jetë gati reforma e pensioneve, prej vitesh e debatuar dhe për arsye politike e taktike e shtyrë gjithmonë. Javët e ardhshme qeveria e Tsiprasit duhet të paraqesë planin afatmesëm të financimit deri në vitin 2019. Edhe reforma e pagave dhe liberalizimi i premtuar i tregut të punës janë ende në pritje. Po pse duhet të bëjë kaq shumë reforma në një kohë kaq të shkurtër qeveria e Athinës?

Për Dimitra Kada, kryeredaktore e portalit ekonomik, "Capital.gr" arsyeja është e qartë: "Kjo qeveri duhet të bëjë me tempo të shpejtë të gjitha reformat e vonuara që u premtuan nga qeveritë e mëparshme, por nuk u vunë në jetë. Këtë e kërkojnë kreditorët dhe premtimet nuk mjaftojnë më. Po ashtu Greqia ka humbur shumë kohë pas zgjedhjeve të njëpasnjëshme dhe negociatave pa fund", thotë Kada në bisedë me Deutsche Welle-n.

Grindje për reformën e pensioneve

Veçanërisht i kontestuar është reformimi radikal i sistemit të pensioneve, që do të pengonte pensionin e parakohshëm dhe mund të sjellë kontribute më të larta në sigurimet shoqërore. Vitet e fundit janë bërë disa reforma: Mosha e pensionit u rrit në 67 vjeç, pensionet u shkurtuan me një të tretën e shumës. Por efekti nuk u pa. Vetëm për të arritur nivelin e pensioneve aktuale tejet të shkurtuara, qeveria greke duhet të subvencionojë arkën e pensioneve, sipas një studimi të "Institutit të Punës" në Greqi, me një miliardë euro në vitin 2016 - kjo në një kohë kur arkat e shtetit grek janë bosh.

Si do të veprohet? Analistja Dimitra Kada mendon se qeveria po përpiqet të luajë me kohën që të mos shkaktojë reagime të ashpra. "Në rastin më ideal do të bëhet vetëm një pjesë e reformës deri në fund të vitit, me qëllim që të shkrihen arkat e pensionit dhe të mënjanohen problemet akute të financimit."

Nikos Nikolopoulos nga partneri i koalicionit votoi kundër reformave

Për mënyrën e veprimit debatohet në Athinë. Alexis Papachelas, drejtor i gazetës së Athinës, "Kathimerini" thotë se "njëra palë mendon se nuk ka hapësira për masa të reja të dhimbshme dhe se reforma duhet të shtyhet në shkurt të 2016-s. Të tjerët besojnë se është më mirë ta pish këtë ilaç të hidhur tani, dhe po ashtu të ecet përpara me procesin e privatizimeve, po ashtu i kontestuar, në mënyrë që ekonomia të lëvizë nga gjendja e stanjacionit. Kryeministri Tsipras nuk ka një përgjigje për këtë dilemë kryesore."

Shumica qeverisëse po lëkundet

Tsipras po e ndjen gjithnjë e më shumë kundërshtinë e partisë së tij qeverisëse, Syriza, kjo u duk qartë në miratimin e paketës së re të reformave javën e kaluar. Para miratimit vendimtar, deputeti i Syrizas dhe ish-zëdhënës i qeverisë, Gabriel Sakelaridis dha dorëheqjen me arsyetimin se nuk është më në gjendje ta mbështesë qeverinë në këtë kurs. Për fatin e Tsipras, Sakelaridis e dorëzoi mandatin në parti, duke ia kursyer Tsiprasit mundimin për të gjetur mazhorancë të re brenda parlamentit. Ndërsa populisti i djathtë, Nikos Nikolpous nga partneri ANEL votoi kundër masave të kursimit dhe e mbajti mandatin -në të ardhmen Tsipras do të duhet të llogarisë me një shumicë vetëm prej 153 deputetësh nga 300 gjithsej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat