Korrigjim kursi në politikën ndaj Sirisë

Bota

Korrigjim kursi në politikën ndaj Sirisë

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 09:20

Bisedimet e paqes për një zgjidhje politike në Siri janë krejt në krye të listës së dëshirave të Ministrave të Jashtëm të BE. Ndërkohë ata duan të zhvillojnë negociata edhe me qeverinë Assad dhe patjetër edhe me Rusinë.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë flet hapur për shkaqet e aktivitetit të papritur të evropianëve në çështjen e Sirisë: "Menaxhimi i migrimit (në BE) është njëra gjë, luftimi i shkaqeve të ikjes nga vendi është tjetra", dhe është para së gjithash lufta në Siri, për përfundimin e së cilës duhet ndërmarrë sërish një përpjekje diplomatike. Linja e re e përbashkët tani është që BE është dakord të flasë me të gjithë aktorët e konfliktit pesëvjeçar, edhe me përfaqësues të qeverisë Assad. Ministri i Jashtëm britanik, Philip Hammond formuloi se ekziston një zhdërvjelltësi e madhe për mënyrën e largimit dhe momentin se kur do të largohet Assadi. Ai mund të jetë padyshim pjesë e një qeverie tranzitore. Por deklarata e përbashkët e Ministrave të Jashtëm fikson edhe se nuk mund të ketë një zgjidhje të qendrueshme paqeje me Assadin. Por evropianët duan të mënjanojnë me çdo kusht kolapsin e plotë të sistemit dhe një vakum pushteti si pas rrëzimit të Gadaffit në Libi - në asnjë mënyrë nuk duhet të shkatërrohen të gjitha strukturat, është deviza e re.

BE kritikon Rusinë për sulmet me bomba

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë e ka bërë "një situatë të vështirë edhe më të ndërlikuar", thotë Frank-Walter Steinmeier për ofensivën ajrore në Siri. Ai dhe kolegët e tij i kërkojnë Moskës që t'i ndërpresë sulmet ndaj opozitës së moderuar, sepse ato e përkeqësojnë situatën humanitare dhe nxisin radikalizimin. Në vend të kësaj, ministrat e Jashtëm kërkojnë që Putini të bashkëpunojë për një zgjidhje politike. Dhe shumica e ministrave beson se Presidenti rus në parim nuk është kundër kësaj: shkaku për ndërhyrjen e tij ushtarake është vërtet forcimi i regjimit të Assadit, por përveç kësaj Rusia është para së gjithash e interesuar që të ulet si aktore në tryezë. Evropianët nisen nga fakti që Putini nuk ka interes të përfshihet në plan afatgjatë në krizën në Siri. Veç kësaj, ata e vlerësojnë pozitivisht faktin që kanalet e komunikimit vazhdojnë të jenë të hapura: prej disa ditësh, përfaqësues rusë bie të paktën dakord me kolegët e tyre amerikanë për aksione ushtarake.

Po të ecë "llogaria" e ministrave të jashtëm, në këtë ndryshim kursi, duke përfshirë edhe strategjinë e negociatave të paktën është e qartë se kush duhet të jenë partnerët në tryezën e negociatave: SHBA, Rusia, përfaqësues të qeverisë së Assadit, grupe të moderuara opozitare mundësisht të moderuara dhe të ashtuquajturit lojtarë rajonalë Turqi, Iran dhe Arabi Saudite. Kjo në një kohë kur është e qartë se nuk do të ketë kurrë një fotografi të përbashkët me diktatorin Assad vetë dhe me negociatorët evropianë: ai duhet të dërgojë përfaqësues dhe bisedime të zhvillohet përmes ndërmjetësit të OKB-së, Mistura.

Edhe nëse BE e korrigjon tani kursin përballë regjimit të Assadit dhe do të negociojë me të gjitha grupet politike në Siri për një zgjidhje me negociata: "Bisedimet me Assadin nuk sjellin zgjidhjen vendimtare," thotë Steinmeieri, më e rëndësishmja tani, thotë Steinmeieri është arritja e ekuilibrit të interesave të ndryshme dhe riparimi i marrëdhënieve të dëmtuara krejtësisht midis Iranit dhe Arabisë Saudite. Kjo është aktualisht pengesa më e madhe. Ai do të përpiqet tani të ndërtojë ura - në fundjavë Steinmeieri do të udhëtojë në të dyja kryeqytetet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat