Pse flitet për zonat e tranzitit në Gjermani

Bota

Pse flitet për zonat e tranzitit në Gjermani

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 09:18

A do të futen "në arrest" që në kufi në të ardhmen refugjatët? Këtë javë Bundestagu do të vendosë për një ligj më efikas për azilin. Por puna nuk do të mbarojë me kaq. Presioni është edhe më tej i lartë.
Ku duhet të strehohen mijëra refugjatët, që vazhdojnë të vijnë në Gjermani? Kapacitetet thuhet se kanë arritur limitin, kufiri i ngarkesës është arritur. Ka komuna që "thjesht nga gjendja e dëshpëruar" nuk pranojnë të marrin refugjatë të rinj. Këtë e thanë njëzëri përfaqësues të shoqatave komunale, pra të qyteteve, të komunave dhe të qarqeve, në një seancë dëgjimi të ekspertëve për reformën e ligjit të azilit, në Komisionin e Punëve të Brendshme të Bundestagut. Ligji i reformuar i azilit pritet të miratohet këtë javë.

Ka mungesë praktike godinash, krevatesh fushore dhe personeli, thotë Uwe Lübking i Shoqatës Gjermane të Qyteteve dhe të Komunave. Një përmirësim të gjendjes në terren nga paketa ligjore, komunat nuk presin. Kritikohet para së gjithash që landet federale nuk ndihen të detyruara që t'i mbajnë azilkërkuesit për aq kohë në të ashtuquajturat institucione të regjistrimit të parë, derisa të jetë vendosur kërkesa për azil. Për momentin, disa azilkërkuesit u përcillen komunave pas një ose tri ditësh, u ankua Kay Ruge, nga Federata Gjermane e Qarqeve. Komunat në fakt e shohin detyrën e tyre që të strehojnë vetëm ata azilkërkues, që edhe do të lejohen të qendrojnë në Gjermani.

Komunat dhe landet federale janë të mbingarkuara

Landet federale ndodhen para detyrave të ngjashme. Në Berlin nuk funksionon as regjistrimi i parë i refugjatëve. Me këtë nuk kihet parasysh kërkesa e mirëfilltë për azil. Hannelore Kraft, kryeministrja e Renanisë Veriore-Vestfalisë paralajmëron këto ditë herë pas here se në qendrat e para të regjistrimit nuk ka më vende. Idenë që azilkërkuesit të mbahen atje deri gjashtë muaj, ajo nuk e konsideron me shumë shanse. Kjo do të kërkonte edhe më shumë vende në këto qendra, të cilat nuk ekzistojnë.

Në këtë kuadër duhet kuptuar diskutimi aktual për zonat e tranzitit, të cilat megjithatë nuk janë pjesë e paketës së re ligjore. CDU/CSU dëshirojnë të krijojnë me to - përveç komunave dhe landeve federale - një mundësi tjetër, për të strehuar refugjatët. Në zonat e tranzitit do të vendoset në një proces më të shkurtër nëse dikush ka shanse për azil apo jo. Nëse nuk ka, atëherë një kandidat i refuzuar duhet të largohet menjëherë nga Gjermania. Me këtë komunat dhe landet lehtësohen, sepse kandidatët nuk përcillen fare jashtë zonave të tranzitit tek ata. Prandaj edhe përfaqësues të komunave reaguan pozitivisht në mbledhjen e Komisionit të Brendshëm.

SPD skeptike

Në zonat e tranzitit veç kësaj dëbimi do të ishte më i thjeshtë. Shpresa: refugjatë nga shtete të quajtura të sigurta të Ballkanit nuk do të hynin fare në vend, duke dalë nga zonat e tranzitit. Se ç'pamje do të kishin këto zona tranziti, është ende e paqartë. Ato do të ngriheshin në kufirin e Bavarisë me Austrinë. Atje ku vazhdon të vijë numri më i madh i refugjatëve. Si model do të shërbenin zonat e tranzitit në aeroporte, siç ekzistojnë ato tashmë në Berlin ose në Frankfurt. Refugjatët do të verifikoheshin nëse do të kishin të drejtë të hynin fare në Gjermani. Asnjë shans për të hyrë në Gjermani nuk do të kishin ata pa dokumenta me vete.

Nëse do të ketë zona të tilla tranziti, kjo nuk është vendosur. "Një ngritje të qendrave të arrestit në kufi" ai e kundërshton, tha shefi i Grupit Parlamentar Socialdemokrat, Thomas Oppermann. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber përpiqet aktualisht në mënyrë aktive ta bindë SPD-në. "Çdo lehtësim, që mund të sjellim, për të çliruar burime, na ndihmon më tej."

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat