BE: Përkohësisht tërhiqen sanksionet kundër Bjellorusisë

Bota

BE: Përkohësisht tërhiqen sanksionet kundër Bjellorusisë

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 19:58

Bashkimi Evropian ka vendosur që përkohësisht t’i pezulloj sanksionet kundër Bjellorusisë, përkundër shqetësimeve për zgjedhjet e djeshme presidenciale në këtë vend.

Sekretari shtetëror i Francës për çështje evropiane, Harlem Desir, tha se vendimi për tërheqje të sanksioneve në muajin janar në kohëzgjatje prej katër muajsh, u bë pas zgjedhjeve “që u zhvilluan në mënyrë tejet transparente dhe të qetë”.

Duke folur në mbledhjen e sotme të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, zoti Desir tha se pezullimi i sanksioneve “na lejon që në çdo moment mund t’i kthejmë, nëse shohim se ka një hap prapa”.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i ka theksuar zhvillimet pozitive në Bjellorusi, siç është lirimi i të burgosurve politikë, por tha se “natyrisht, zgjedhjet nuk i kanë plotësuar standardet ndërkombëtare, që ne vetë i kemi vendosur”.

Misioni vëzhgues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka kritikuar zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, duke thënë se autoritetet e Bjellorusisë kanë krijuar “një terren të pabarabartë për fushatë” dhe se ka pasur mangësi gjatë llogaritjes dhe paraqitjes tabelare të votave.

Në zgjedhje ka fituar bindshëm presidenti aktual, Aleksandr Lukashenka, me 83.5% të votave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat