BE: Rusia po e rrezikon diplomacinë paqësore për Sirinë

Bota

BE: Rusia po e rrezikon diplomacinë paqësore për Sirinë

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 16:45

Bashkimi Evropian e ka kritikuar ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Siri, për shkak se i rrezikon përpjekjet paqësore.

Mëtutje, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ka vlerësuar se sulmet ajrore ushtarake ruse në Siri kundër kryengritësve të mbështetur nga perëndimi, paraqesin “ndryshim shqetësues të lojës”.

Ministrat e jashtëm të BE-së, në mbledhjen e sotme në Bruksel, i kanë tërhequr vërejtjen Moskës që të fokusohet në ekstremistët e Shtetit Islamik, e jo t’i sulmoj luftëtarët e moderuar opozitarë, gjatë aksioneve të veta në Siri.

“Duhet të ketë koordinim” në mesin e Shteteve të Bashkuara, BE-së dhe Rusisë, tha zonja Mogherini, për sulmet në Siri, dhe ka shtuar se “në të kundërtën ka rreziqe ekstreme, jo vetëm nga pikëpamja politike, por edhe nga ajo ushtarake”.

Sulmet ajrore të Rusisë i kanë ndjekur lëvizjet nga ushtria e Sirisë kundër të gjitha forcave që e kundërshtojnë regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat