Grindje në vend të dakordimit pas masakrës

Bota

Grindje në vend të dakordimit pas masakrës

Më: 11 tetor 2015 Në ora: 11:18

Sheshi para stacionit të trenit i ngjan pas atentatit të rëndë të së shtunës një sheshi beteje. Pjesë kufomash janë të shpërndara në rrugë, të plagosur bërtasin e kërkojnë ndihmë, sirenat e ambulancave dëgjohen pa pushim. Atentatorë të dyshuar vetëvrasës e kanë hedhur veten në erë në mes të një mase njerëzish, para një demonstrate të planifikuar të grupeve të majta dhe kurde dhe të partive.Dhoma e Mjekëve në Ankara u bëri thirrje të gjithë mjekëve që të dalin në shërbim emergjence në spitale, sepse personeli i klinikave nuk është më në gjendje të kujdeset si duhet për numrin e madh të të plagosurve. Mijëra qytetarë janë regjistruar për të dhënë gjak. Autoritetet përgatitën për shkak të numrit të madh të refugjatëve një morg shtesë.
Vetëm pak minuta pas dy shpërthimeve, të cilat ndodhën në një distancë prej pak sekondash nga njëra-tjetra, pasuan tensionet e para midis demonstruesve dhe policisë. Disa pjesëmarrës të manifestimit sulmojnë një automjet policie, sepse janë të sigurtë se shteti ka dorë në aktin e dhunës.Të tjerë ankohen se ambulancat mbërrijnë vetëm me vonesë të madhe në vendin e ngjarjes, megjithëse atentati ndodhi në mes të Ankarasë. Disa ministra, të cilët duan të krijojnë në vend një tabllo për gjendjen, dëbohen nga një masë e madhe njerëzish.

Partia kurde flet për "masakër"

Pasuan shpejt akuzat e para. Selahattin Demirtas, shef i partisë legale kurde HDP flet për një "masakër". HDP-ja e sheh veten si objekt kryesor të sulmit: bombat u ndezën në ato vende, ku do të mblidheshin delegacionet e HDP-së për manifestimin. Policia i pati sulmuar me gaz lotsjellës ndihmës që donin të kujdeseshin për të plagosurit. Në manifestim, HDP dhe organizata të tjera donin të kërkonin dhënien fund të dhunës midis forcave të sigurisë dhe kryengritësve të PKK. Partia kurde e sheh përgjegjësinë kryesore për shkallëzimin më të fundit të dhunës te qeveria.

Mijëra vetë protestojnë kundër atentateve vdekjeprurëse të së shtunës

Vëzhguesit janë të të njëjtit mendim se dorasit patën si objektiv procesin e paqes të kurdëve - ose atë që ka mbetur nga ky proces. Pas muajve të tjerë të luftës me ushtrinë dhe policinë, në orët para atentatit pritej një armëpushim i ri i PKK. "Kushdo që të ketë qenë: ai nuk donte që të pushonin lufta dhe konfliktet aktuale në Turqi,"shkroi në twitter eksperti për Turqinë i vendosur në Londër, Ziya Meral. Por ky objektiv nuk u arrit: PKK shpalli pak orë pas shpërthimit armëpushimin e pritur.
Tri javë deri në zgjedhje
Ndërkohë, Erdogani dhe politikanë të tjerë u bënë thirrje turqve që të mos ngrihen kundër njëri-tjetrit për shkak të dorasve të dhunshëm. Politikanë të qeverisë dhe të opozitës i anuluan pas atentatit daljet e tyre elektorale për ditët e ardhshme. Por kjo nuk do të thotë se do të bien tensionet tri javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Përkundrazi: kritikët e akuzojnë Erdoganin se po i nxit qëllimisht që prej verës tensionet e reja midis shtetit dhe PKK, për të fituar zgjedhës të djathtë për AKP-në, për zgjedhjet e nëntorit. Nga ana tjetër, gazetari i afërt me qeverinë, Fatih Tezcan e akuzoi të shtunën HDP-në se ajo vetë ka të bëjë me atentatin e së shtunës. Partia kurde synon që të rrisë numrin e mbështetësve të saj me anë të efektit të keqardhjes, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat