Kaos mes republikanëve të Kongresit

Bota

Kaos mes republikanëve të Kongresit

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 00:43

Republikani që pritej të ishte kreu i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve i befasoi kolegët e tij dje, kur deklaroi se po e tërhiqte kandidaturën. Vendimi i kreut të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy do të thotë që gara për të pasuar kryetarin John Boehner është tani krejtësisht e hapur.

Kapitoli është rrethuar nga kaosi politik ndërsa personi që shumë vetë mendonin se do të bëhej kreu i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve, befasoi kolegët republikanë pak para se të mbahej votimi.

“I habita disa prej jush apo jo?”

Kevin McCarthy tha se dikujt tjetër do t’i duhet të mbyllë hendekun mes konservatorëve dhe republikanëve më tradicionalë.

“Dhe më duhet të them se që ne të bashkohemi, kemi nevojë për një zë të ri. Do të vazhdoj të jem kreu i shumicës por ajo që zbulova në bisedat me këdo, është se që të bashkohemi dhe forcohemi, na duhet një emër i ri”.

Mes kandidatëve për kreun e Dhomës së Përfaqësuesve është kongresmeni Jason Chaffetz nga Utah.

“U befasova jashtëzakonisht me atë që ndodhi. Por ne grupi i kongresmenëve republikanë, duhet të analizojmë më thellë veten tonë dhe pastaj të shohim se çfarë ndodh”.

Valët e tronditjes përshkuan vendin deri në Las Vegas kur kandidati republikan për president, Donald Trump e bëri të ditur lajmin në një tubim.

“A e dini që Kevin McCarthy nuk është më në garë?

Edhe demokratët u habitën dhe po e ndjekin me vëmendje kaosin në Kongres.

“Në Partinë Republikane ka përçarje. E sheh në takimet me votuesit në Iowa dhe New Hampshire. Por e sheh edhe në takime private të republikanëve të Kongresit. Është një sfidë e vërtetë për Partinë Republikane dhe kërcënon aftësinë e tyre për të fituar zgjedhje kombëtare”.

Terreni për këtë krizë kishte kohë që përgatitej, thotë ish-kongresmeni republikan Vin Weber.

“Është tregues i kaosit të madh në Partinë Republikane. Nuk do përdorja fjalën dobësi, por edhe nuk do ta luftoj përforimin e saj. Por pa dyshim tregon se Partia Republikane nuk është e bashkuar”.

Përçarja ushqehet gjithashtu nga dëshira e konservatorëve për të qenë më të ashpër në marrëdhëniet me Presidentin Obama, thotë strategjisti republikan Ford O’Connell.

“Ata duan dikë që nuk do të vazhdojë të ruajë gjendjen e tanishme. Mendoj se shumë nga republikanët kanë përshtypjen se gjithmonë jemi luftuar nga Presidenti Obama dhe demokratët e kongresit dhe duan të kenë dike që është luftarak”.

Republikanët e kanë shtyrë për një kohë të pacaktuar votimin për të emëruar pasuesin e kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, Boehner i cili thotë se do të vazhdojë detyrën derisa të zgjidhet personi që do ta zëvendësojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat