Çmimi Nobel për Paqen

Bota

Çmimi Nobel për Paqen

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 20:50

Komiteti Nobel njoftoi se çmimi për paqen për vitin 2015 i jepet organizatës tuniziane “Kuarteti i dialogut kombëtar” për kontribut në ndërtimin e një demokracie pluraliste në Tunizi në prag të revolucionit jasemin të vitit 2011.

Komiteti i Çmimit Nobel, në Oslo të Norvegjisë, njoftoi sot se çmimi për paqen nuk iu dha individëve të caktuar, por katër organizatave së bashku, për punën e tyre në krijimin e një proçesi paqësor politik, në periudhën kur përpjekjet për demokratizim të Pranverës Arabe u sabotuan nga vrasje politike dhe trazira sociale. Komiteti i njohu kuartetit meritën e stabilizimit të vendit kur u gjend shumë pranë luftës civile.

Grupet që përbëjnë Kuartetin për Dialogun Kombëtar Tunizian janë Sindikata e Përgjithshme Tuniziane, Konfederate Tuniziane e Industrisë, Tregtisë dhe Manifakturës, Lidhja Tuniziane për të Drejtat e Njeriut, si dhe Urdhëri i Juristëve Tunizianë.

Pranvera Arabe i pati fillimet e saj pikërisht në Tunizi në vitin 2010 dhe 2011 dhe u përhap më tej me shpejtësi në vende të tjera, duke ngjallur revolta popullore që kërkonin reforma demokratike. Tunizia ia doli mbanë të menaxhojë një tranzicion paqësor demokratik, ndërkohë që vende të tjera të Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Mesme janë ende në kërkim të stabilitetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat