Koment: Putin po i përkeqëson të gjitha edhe më shumë

Bota

Koment: Putin po i përkeqëson të gjitha edhe më shumë

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 11:59

Që prej një jave aviacioni ushtarak i Rusisë po bombadron në Siri. Aksionet ushtarake po i sjellin edhe më shumë dhunë vendit të raskapitur. Paqëtimi i luftës dështon tek aktorët e tjerë, mendon Rainer Sollich.

Të dhënat mbi dorasit dhe viktimat apo mbi objektivat e sulmeve në Siri duhen marë me rezervë. Në këtë luftë nuk ka burime të pavarura - as për gazetarët dhe mediat arabe. Shumica e informacioneve orientohen sipas interesave.

Gazetarëve nuk u mbetet tjetër veçse të dhënat kontradiktore t'i rendisin me kujdes dhe mbi bazën e tyre të krijojnë një pamje të supozuar si të afërt me realitetit.

Mbi këtë bazë që prej një jave pas fillimit të aksionit ushtarak rus në Siri po konturohet një konstatim i kthjellët: presidenti i Rusisë Vladimir Putin nuk do të sjellë paqen në Siri. Shumë më tepër ka drojë, që konflikti do të përshkkallëzohet më tej dhe mund të dalë jashtë kontrollit.

Të dhënat për sulmet e mundshme ruse ndaj rebelëve "të moderuar" dhe "islamistë" në Siri janë të diskutueshme, e me gjasë ato do të mbeten të tilla. Megjithatë një gjë është e qartë: që presidenti rus ka përvetësuar pikëpamjen e të marrit prej tij në patronazh Bashar Al-Asadit dhe praktikisht tek të gjithë kundërshtarët e qeverisë ai sheh "terroristët" - e jo vetëm luftëtarët e "Shtetit Islamik" (IS), që ai të paktëm në të kaluarën nuk i trazonte.

Aksi shiit kundër atij sunit

Avionët luftarakë rusë në mënyrë të përsëritur e aspak rastësisht kanë shkelur hapësirën ajrore turke. Edhe kjo tregon, që Moska me sa duket nuk është e predispozuar të bashkëpunojë me Perëndimin për një zgjidhje në Siri duke zhvilluar një iniciativë të përbashkët. Në vend të kësaj Rusia është kthyer në një palë të luftës, që ndërhyn hapur në luftë në favor të "aksit shiit" të përbërë nga Irani, Iraku dhe regjimi i Sirisë e madje në këtë mes nuk stepet as prej manovrare mjaft të rrezikshme kundrejt anëtarëve të NATO-s si Turqia.

Me këtë Moska bëhet në rajon kundërshtare e aktorëvë të tjerë të rëndësishëm: një sërë trupash rebele - ato sunite islamike si dhe forcat sekulariste - e konsiderojnë Rusinë tani si agresor dhe fuqi pushtuese dhe bëjnë thirrje për mbështetje ushtarake. Të tilla thirrje kanë shanset më të mira brenda "aksit sunit" të gjejnë shpejt mbështetjen e vendeve të Gjirit Persik e deri edhe të Turqisë si dhe të përfitojnë para për armatime të mëtejshme. Por atje askush nuk është i interesuar për një zgjidhje të drejtë paqësore, që është në dobi të popullit sirian. Ato çfarë vlejnë janë interesat parciale dhe lufta për zona strategjike influence.

Rusët, amerikanët, iranianët, luftëtarët e Hisbollahut libanez si dhe një sërë mercenarësh e dorasish të bindur nga vendet arabe e madje edhe nga Europa luftojnë ndërkohë në ndonjë mënyrë në Siri dhe për Sirinë. Gjendja po bëhet gjithnjë e më e paqartë dhe si rrjedhojë mund të destabilizojë më tej edhe Irakun.

S'ka paqe pa harmonizimin e interesave

Numri i sirianëve, që marrin arratinë drejt Europës e Gjermanisë po rritet. Që pikërisht pozicionimi ushtarakisht i Rusisë në favor të njërës palë të luftës do t'i sjellë paqen sirianëve dhe do ta çlirojë Europën prej krizës së refugjatëve, ky është një përfytyrim jorealist. Putin e heq nga hunda Perëndimin dhe përpiqet t'i imponojë atij vullnetin dhe kushtet e veta.

Me këtë Moska në mënyrë të vullnetshme nxit një konflitk, i cili po drejtohet me brutalitet të madh dhe cinizëm çnjerëzor jo vetëm prej grupeve konkurruese rebele, por pikërisht edhe prej vet regjimit sirian. Njerëzit arratisen jo vetëm prej IS-it. Ata arratisen veçanërisht prej bombave të Asadit.

Sado dëprimues të jetë ky konstatim: por pa një harmonizim të interesave mes palëve siriane të konflitktit, fuqive në rajon si Irani, Turqia dhe Arabia Saudite si dhe fuqive të mëdha SHBA-së e Rusisë, nuk do të ketë paqe në Siri. Të gjitha këto në një farë mënyre janë fajtore, që po vazhdojnë vrasjet, edhe kursi i SHBA-së me zik zaket e lëkundura. Me imponimin e një zgjidhjeje ushtarake apo të një koalicioni të grupeve sekulariste të rebelëve me regjimin e urryer prej tyre të Asadit, nuk do t'ia dalë as Rusia. Ndërhyrja ushtarake e Putinit po i përkeqëson të gjitha edhe më shumë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat