Largimet nga Air France, Hollande dhe Vals: Aktet e dhunshme të papranueshme

Bota

Largimet nga Air France, Hollande dhe Vals: Aktet e dhunshme të papranueshme

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 19:38

Aktet kundër drejtuesit të Air France janë një dhunë e papranueshme dhe rrënojnë imazhin e kompanisë.

Kështu e ka komentuar presidenti francez Fransua Hollande sulmin e dhunshëm të disa punonjësve në selinë e kompanisë në Paris, duke bërë që menaxheri Xavier Broseta të largohej i terrorizuar.

Punëtorët e kompanisë kanë protestuar kundër shkurtimit të stafit, i cili u rrezikon vendin e punës 2.900 personave.

Hollande në fjalën e tij tha se këto sjellje mund të kenë pasoja të mëdha në prishjen e imazhit të kompanisë, duke i ftuar palët të zgjedhin rrugën e dialogut.

Kurse kryeministri i vendit Manuel Vals gjatë vizitës së tij në selinë e Air France, ku është takuar edhe me menaxherin e sulmuar, tha se do të ketë sanksione të rënda për të gjithë ata që kryejnë akte të tilla vandale.

Kryeministri socialist tha se ishte i “tronditur nga dhuna” e punëtorëve dhe shprehu mbështetje të plotë ndaj menaxherit.

Xavier Broseta, kreu i burimeve njerëzore tha se ishte “i zhgënjyer” dhe “tronditur” nga incidenti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat