Përmbytjet në SHBA

Bota

Përmbytjet në SHBA

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 17:50

Karolina e Jugut po mëkëmbet nga përmbytjet më të rënda të regjistruara ndonjëherë që shkaktuan vdekjen e të paktën 11 vetëve, detyruan banorët të largohen nga shtëpitë e tyre dhe lanë mijëra të tjerë pa ujë të pijshëm dhe energji. Pjesë të këtij shteti, përfshi kryeqytetin Kolumbia patën 60 centimetra shi në vetëm dy ditë. Autoritetet paralajmëruan se fundi i shiut nuk do të thotë fundi i rrezikut, pasi do të duhen ditë për uljen e nivelit të ujit.

Pjesa më e madhe e Karolinës së Jugut ishte nën ujë të hënën pas disa ditësh shirat të rrëmbyer. Uji hynte aq shpejt nëpër shtëpi gjatë fundjavës saqë shumë njerëz mezi u larguan, dhe shumë të tjerë duhej të shpëtoheshin me helikopterë.

"Ishte momenti më i frikshëm në jetën time, veçanërisht duke mbajtur vajzën time 15 muajshe, ishte shumë e frikshme, por ja dolëm mbanë."

"Kisha frikë se nuk do ta nxirrnim dot makinën. Fillova të ecë. Mendova se do të vdisnim."

"Fillova të hedh plaçkat mbi krevat dhe po mundohesha të shpëtoja ç’të mundja."

Ky banor përdori varkën e tij për të shpëtuar njerëzit e bllokuar.

"Po trokisja mbi çati dhe prisja nëse dikush përgjigjej. Gjetëm një shënim ku thuhej se njerëzit ishin në papafingo.'"

Guvernatori Nikki Haley tha se Karolina e Jugut po përballon shirat më të rrëmbyer në një mijë vite.

"Për momentin kemi 40 mijë njerëz pa ujë të pijshëm dhe po punojmë për ta risjellë atë. Kemi 26 mijë njerëz pa energji dhe kjo është e vështirë të riparohet."

Autoritetet kanë paralajmëruar banorët të jetë të kujdesshëm edhe pas ndalimit të shirave, pasi rrugët janë të mbuluara nga uji dhe struktura të tjera mund të shemben në çdo kohë.

Një ekip i specializuar shpëtimi nga Fairfax-i i Virxhinias është në rajonin e përbytur për të ofruar ndihmë.

"Ne e dimë se për shkak të përmbytjeve struktura të ndryshme mund të bien dhe jemi të përgatitur me mjetet e nevojshme për çdo lloj shkatërrimi."

Një ekip prej 80 punonjësish të pajisur me varka të shpejta, qenë me erë, mjete dhe pajisje janë dislokuar nga Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat