3500 emigrantë zbarkojnë në Greqi

Bota

3500 emigrantë zbarkojnë në Greqi

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 17:48

Dy tragete të vendosura në dispozicion nga autoritetet greke transportuan sot rreth 3500 emigrantë nga ishulli Lesbos drejt portit të Pireut. Ndërkohë që Greqia vazhdon të përballet me krizën e saj më të thellë ekonomike, refugjatët e shumtë që zbarkojnë në ishujt grekë të detit Egje kanë rënduar infrastrukturën e kufizuar.

Trageti i dytë në pak orë solli 1980 emigrantë nga ishulli Lesbos, në Detin Egje, drejt portit të Pireut. Trageti “Blue Star Patmos” është një ndër tre anijet e vendosura në dispozicion për të lehtësuar barrën e emigrantëve të shumtë që mbërrijnë nga Turqia në ishullin verilindor Lesbos. Pjesa më e madhe janë sirianë, afganë dhe irakianë që i largohen luftës dhe varfërisë.

Një nga katër milionë sirianët që janë larguar nga vendi është edhe 18-vjeçari Hammad, nga qyteti Aleppo, i cili iu gëzua mbërritjes në portin e Pireut.

“Ishim rreth 45 veta në një varkë të vogël. Udhëtimi është i rrezikshëm, por tani jemi të sigurtë.”

Pak orë më parë mbërriti një tjetër anije me 1702 burra, gra dhe fëmijë, të cilët u transportuan drejt autobuzëve për të vazhduar udhëtimin drejt Evropës veriore.

“Nuk di se ç’do të ndodhë më tej. Është vetëm fillimi. Duhet të vazhdojmë drejt Kroacisë ose Hungarisë. Më tej nuk i dihet”
, thotë një refugjat nga Afganistani.

Fluksi i refugjatëve drejt Evropës nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore nuk po jep shenja rënieje, ndërkohë që Bashkimi Evropian po përpiqet të përballet me krizën më të rëndë të emigracionit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ndërkohë që Greqia vazhdon të vuajë krizën e saj më të thellë ekonomike, asaj i mungon infrastruktura e duhur për t’u përballur me fluksin e emigrantëve që mbërrijnë në ishujt Lesbos, Kos dhe Chios, në detin Egje.

Sipas agjensisë së refugjatëve të OKB-së, prurjet prej 8 mijë emigrantë në ditë drejt Evropës, janë vetëm maja e ajsbergut dhe agjensia ka bërë thirrje për dhënien fund të luftës civile në Siri, gjë që do të parandalonte prurjet e mëtejshme të refugjatëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat