Avionët rusë shkelin sërish hapësirën ajrore turke. Ankaraja thërret ambasadorin

Bota

Avionët rusë shkelin sërish hapësirën ajrore turke. Ankaraja thërret ambasadorin

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 08:55

Turqia thërriti për herë të dytë ambasadorin rus pas një tjetër shkelje të hapësirave të saj ajrore nga një avion rus.

Zyrtarët rusë thanë se shkelja e hapësirave ajrore turke ditën e shtunë ndodhi vetëm për disa sekonda, ndërsa nuk ka pasur asnjë reagim mbi incidentin e së dielës.

“Forcat e armatosura turke janë të udhëzuar në mënyrë të qartë”, tha kryeministri turk Ahmet Davutoglu. “Edhe në qoftë se është një zog, do të zbulohet”.

Megjithatë, Davutoglu minimizoi mundësinë e një “krize Turqi-Rusi”, duke thënë se kanalet mes dy vendeve mbetën të hapura.

Më herët, zyrtarë të lartë të NATO-s paralajmëruan Rusinë që të shmangë çdo kalim mbi hapësirën ajrore turke, teksa Moska ka zgjeruar ofensivat e saj në mbështetje të Assad.

Në Bruksel, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg organizoi një takim të posaçëm për të diskutuar mbi atë që e cilësoi “shkelje të papranueshme të hapësirës ajrore turke nga avionët luftarakë rusë”. Stoltenberg shtoi se “veprimet e Rusisë nuk po kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”. Po ashtu për Turqinë inkursione të tilla do mund të sjellin pasoja të padëshiruara.

Këto qëndrime u bashkuan me të tjera deklarata diplomatike, të cilat më herët e kanë dënuar ashpër strategjinë e Rusisë në Siri.

Turqia është një kundërshtar kryesor i presidentit sirian Bashar al-Assad dhe ashtu sikurse partnerët e saj perëndimorë, është alarmuar gjithnjë e më shumë nga ndërhyrja e Moskës në emër të aleatit të tij kryesor Assad. Ndonëse ushtria turke nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në Siri, ajo lejon avionët e koalicionit të përdorin një bazë në afërsi të kufirit me Sirinë. Turqia gjithashtu ka pritur më shumë se 2 milionë refugjatë sirianë dhe është një vend tranzit për ata që duan të arrijnë Perëndimin e Europës. Por përplasjet e mundshme në qiell me Rusinë, gjithashtu flasin për shqetësime në rritje mbi incidente të mundshme ushtarake ndërmjet avionëve luftarakë rusë dhe koalicionit të udhëhequr nga SHBA, që po zhvillon sulmet ajrore në Siri kundër Shtetit Islamik.

Po ashtu Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter e cilësoi ndërhyrjen e Rusisë në Siri, si një strategji të destinuar për të dështuar. “Kjo hedh vetëm benzinë në luftën civile të Sirisë”, e mbylli Carter fjalën e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat