Gjenerali amerikan: Sulmi mbi spitalin u kërkua nga afganët

Bota

Gjenerali amerikan: Sulmi mbi spitalin u kërkua nga afganët

Më: 5 tetor 2015 Në ora: 17:19

Komandanti i përgjithshëm i forcave amerikane dhe i koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit, Jon Campbell, ka deklaruar se bombardimi që vrau 22 civilë në një spital të Kunduzit erdhi pas një kërkese që u bë nga autoritetet vendase.

Gjenerali foli nga Pentagoni duke korrigjuar një qëndrim të tijin të bërë disa ditë më parë.

“Sulmi ajror u lansua për të mbrojtur forcat afgane, me kërkesën e tyre. Më duhet të korrigjoj qëndrimin tim të disa ditëve më parë, pasi fillimisht mendonim se në rrezik ndodheshin trupat tona ushtarake. Nëse ka pasur një koordinim të gabuar nga ana jonë do të marrim përsipër përgjegjësitë duke marrë masa që gabime të tilla fatale të mos përsëriten. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për viktimat në emër të Shteteve të Bashkuara.”

Sulmi u kritikua nga mbarë opinioni ndërkombëtar, ndërkohë që Presidenti Barack Obama më herët bëri me dije se do të niste një hetim i plotë për zbardhjen e tragjedisë. Nga bombardimet humbën jetën 22 persona prej të cilëve 8 ishin pjesë e stafit mjekësor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat