Cameron: Të shtohen dronët dhe forcat speciale kundër ISIS-it

Bota

Cameron: Të shtohen dronët dhe forcat speciale kundër ISIS-it

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 12:24

Gjatë një interviste për gazetën “Sunday Times”, kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar se Londra do të dyfishojë avionët e saj pa pilot që operojnë në Irak dhe Siri. Ai ka shtuar se do të shtojë ndjeshëm numrin e trupave speciale.

Avionët britanikë kanë operuar në Irak prej disa muajsh, ndërkohë edhe trupat speciale britanike njoftohet se operojnë brenda territorit irakian, edhe pse kjo pritet të konfirmohet zyrtarisht.

Sipas medieve ndërkombëtare, Britania do të shpenzojë qindra miliona sterlina në pajisje dhe burime për forcat e veta speciale. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes pritet të blejë 20 avionë të rinj pa pilotë të tipit “Protector” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këta avionë pa pilotë janë versioni i modelit Reaper që kushtonin 11 milionë sterlina, të cilët i përdor aktualisht Britania e Madhe. Ata janë përdorur në një numër sulmesh ajrore kundër pjesëtarëve të ISIS-it me origjinë britanike në fillim të këtij muaji.

“Një nga kërcënimet më të mëdha që ndodhet përpara nesh është kërcënimi nga terrorizmi, çka nënkupton se ne duhet të sigurohemi që të kemi në dispozicion mjetet ushtarake dhe burimet që na nevojiten në këtë luftë dhe konkretisht përforcimin e forcave tona speciale dhe në veçanti, çështja e avionëve të survejimit”, tha Cameron, duke folur në prag të konferencës vjetore të partisë së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat