Ja pse Rusia vendosi të ndërhyjë në Siri

Bota

Ja pse Rusia vendosi të ndërhyjë në Siri

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 10:01

Lufta në Siri u bë akoma më e ngatërruar nga sa ishte deri tani. Sikur hapësira ajrore mbi vendin e sakatuar nga konflikti katërvjeçar të mos ishte boll e ngarkuar, avionët luftarakë që u shfaqën në qiellin sirian të mërkurën konfirmuan mbërritjen e Rusisë, si aktori i radhës që hedh bomba nga lart. Aeroplanët e Kremlinit kanë si objektiv bazat e kryengritësve kundërshtarë të regjimit të presidentit Bashar al-Asad.

Në krahun tjetër, një koalicion vendesh, me në krye Shtetet e Bashkuara, po bombardojnë thuajse përditë caqet e Shtetit Islamik qysh nga shtatori i shkuar, me synim dëbimin e grupit terrorist nga zonat e kontrolluara në Siri. Por ngjitja në skenë e Rusisë përbën një kapitull të ri e të panjohur të një lufte që deri tani u ka marrë jetën më shumë se 250000 njerëzve që nga 2011-a. Në mënyrë të përmbledhur, ja ç’duhet të dini rreth ndërhyrjes së Moskës në Siri:

Rusia ka përgatitur terrenin në perëndim të Sirisë

Prej javësh presidenti rus Vladimir Putin është përgatitur për sulme ajrore, duke dërguar nëpërmjet qiellit pajisje dhe trupa në disa baza nëpër Siri - veçanërisht në bregdetin e Mesdheut - përfshirë aeroportin e Latakias, bazën detare në Tartus dhe në kryeqytetin Damask. Për momentin Rusia ka shtatë baza në Siri, sipas Institutit për Studimet e Luftës, një qendër studimore me bazë në Uashington.

Kremlini thotë se po bombardon ISIS-in, por Shtetet e Bashkuara nuk e hanë karremin

Rusët thonë se do të luftojnë Shtetin Islamik dhe “grupe të tjera ekstremiste” në Siri, por objektivat e bombarduar të mërkurën ishin shumë larg bazave më të afërta të ISIS-it. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Esh Karter, bëri të ditur se Rusia nuk goditi aspak zonat e kontrolluara nga ISIS-i. Këtë e konfirmon edhe CNN-i duke iu referuar dëshmive nga terreni, sipas të cilave bombat qëlluan pozicionet e kryengritësve të tjerë, përfshirë selinë e Ushtrisë së Lirë Siriane, një organizatë e moderuar që mbështetet nga Perëndimi.

Arsyet e dyshimta të Rusisë

Kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, zyrtarisht ka shpallur se vendosi të ndërhyjë në Siri për të sulmuar ISIS-in dhe grupe të tjera ekstremiste, por ekspertët thonë se ai ka të tjera arsye. Një prej tyre është mbrojtja e presidentit sirian Bashar al-Asad, aleati kyç i tij në rajon. Një tjetër motiv është përforcimi i bazës detare ruse në Tartus, që mundëson lehtësira strategjike në detin Mesdhe. Gjithashtu, dërgimi i avionëve bombardues përreth Sirisë i lejon Rusisë ta zgjerojë ndikimin e vet ushtarak në rajon - nga Turqia (të cilën avionët rusë mund ta mbërrijnë brenda pak minutash) - dhe Iraku, në Jordani e Izrael.

Shqetësim për armatimin e rëndë

Në fotot satelitore të bëra gjatë disa javëve të fundit shihen aeroplanë luftarakë “Flanker Su-30” dhe tanke “T-90”, helikopterë transportues dhe bombardues si dhe makineri të blinduara që janë vendosur në bazat siriane. Sipas medieve ndërkombëtare, bëhet fjalë për të paktën 30 avionë ushtarakë. Kjo prani kaq e madhe ka ngjallur shqetësim dhe pikëpyetje serioze rreth asaj se kundër kujt do të luftojë në të vërtetë Rusia në Siri. “Shumë prej armatimeve duket sikur janë të vendosura jo për të luftuar ISIS-in. Më tepër duket sikur janë ngritur për t’u përballur me armiq si Shtetet e Bashkuara”, raportonte CNNi të mërkurën. Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, ishte po kaq i alarmuar para dy javësh. “Qartazi prania e avionëve luftarakë ajër-ajër dhe raketave tokë-ajër ngre pyetje serioze”, deklaroi ai për CNN-in.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat