Kunduz: Nga sulmi ajror - tre të vrarë dhe dhjetëra të zhdukur

Bota

Kunduz: Nga sulmi ajror - tre të vrarë dhe dhjetëra të zhdukur

Më: 3 tetor 2015 Në ora: 11:05

Grupi Mjekët pa Kufij (MSF) tha se një spital i tij në qytetin Kunduz në Afganistan, pjesërisht është shkatërruar, ndërsa tre anëtar të personelit janë vrarë, e 30 të tjerë konsiderohen të zhdukur, pas një sulmi ajror gjatë natës.

“Ne jemi thellë të shokuar nga sulmi, vrasja e personelit tonë dhe e pacientëve dhe dëmi i madh i shkaktuar në kujdesin mjekësor në Kunduz”, ka kumtuar sot ky grup.

Mëtutje, është theksuar se spitali ishte qëlluar nga “sulmi ajror” derisa po zhvillohen luftime ndërmjet militantëve talibanë dhe ushtarëve të qeverisë së Afganistanit, që mbështeten nga NATO-ja, për marrjen e kontrollit në Kunduz.

NATO-ja tha se ndoshta ka mundur të jetë përgjegjëse.

“Forcat e Shteteve të Bashkuara e kanë ndërmarrë një sulm ajror në qytetin Kunduz herët në mëngjes, kundër individëve, që i kërcënojnë forcat dhe sulmi mund të ketë rezultuar me dëme anësore në kapacitetin e afërt mjekësor”, ka kumtuar aleanca dhe ka njoftuar se “ky incident është nën hetime”.

Luftëtarët talibanë nuk kanë forcë ajrore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat