Mbi 4,000 emigrantë arrijnë në Austri

Bota

Mbi 4,000 emigrantë arrijnë në Austri

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 09:31

(E plotësuar) Mijëra migrantë kanë arritur në Austri, pas vendimit të befasishëm të Hungarisë për të siguruar autobusë që do t’i dërgonin ata në kufi.

Për disa ditë, Qeveria hungareze i ka penguar ata të udhëtojnë me trena në veri dhe perëndim të Evropës.

Mbi 4,000 njerëz, shumica e tyre nga Siria, kanë kaluar kufirin me Austrinë dhe janë pranuar në një qendër të Kryqit të Kuq.

Autoritetet austriake kanë thënë se ata mund të aplikojnë për azil ose të vazhdojnë drejt Gjermanisë nëse duan.

Ky veprim vjen derisa vendet e Bashkimit Evropian po përpiqen që të pajtohen për mënyrën se si të trajtojnë valën e paparë të azilkërkuesve.

Qeveria e Hungarisë ka lehtësuar kufizimet në tranzit pasi shumë migrantë kanë tejkaluar kordonët e policisë të premten dhe janë nisur në drejtim të kufirit në këmbë.

Autobusët pastaj kanë nisur t’i marrin migrantët nga stacioni kryesor i trenave në Budapest, Keleti.

Automjete janë dërguar edhe për ata që kanë vendosur të ecin përgjatë autostradës, drejt Hungarisë.

Zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, i ka thënë të shtunën BBC-së se nuk do të organizohen me autobusë apo trena për të dërguar migrantët në Austri.

Ai ka thënë se transporti i fundit është siguruar për shkak të frikës për sigurinë e migrantëve.

Punëtorët austriakë të Kryqit të Kuq i kanë pritur migrantët në një qendër të improvizuar me çaj dhe batanije.

Një burrë afgan, i cili ka identifikuar veten si Nizamuddin, është pyetur nga agjencia Reuters në Austri se çfarë planifikon të bëjë:

“Nuk kemi ide. Ndoshta shkojmë në Gjermani. Kemi dëgjuar se Gjermania pranon gati të gjithë migrantët që kanë qenë në Budapest”, është shprehur Nizamuddin.

Gjermania ka thënë se pret rreth 800,000 migrantë dhe refugjatë këtë vit.

Hungaria është bërë vend i madh tranziti për njerëzit që ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe arrijnë në Evropë.

Të premten, Parlamenti i Hungarisë ka miratuar kontrolle të ashpra kufitare dhe dënime për migrantët, duke thënë se po zbaton rregullat evropiane.

Sipas një rregulli të BE-së, i njohur si Rregullorja e Dablinit, refugjatët duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të BE-së ku hyjnë.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se fluksi i migrantëve është “problem i Gjermanisë”, pasi shumica e tyre dëshirojnë të shkojnë atje.

Por, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se refugjatët duhet të ndahen në mënyrë të drejtë në mesin e vendeve anëtare të BE-së.

Mijëra emigrantë arrijnë në Austri

Policia e Austrisë ka konfirmuar se dy mijë emigrantë kanë hyrë në këtë vend gjatë orëve të para të mëngjesit, pas një veprimi befasues të qeverisë hungareze, e cila kishte siguruar automjete për migrantët.

Austria ka rënë dakord me Gjermaninë, se do të lejojë azilkërkuesit të kalojnë përmes kufijve të saj. Në anën tjetër Hungaria për disa ditë me radhë i kishte ndaluar emigrantët që të udhëtonin me tren, drejt Austrisë dhe Gjermanisë, me arsyetimin sa është e obliguar t’i regjistroj ata. Radhët e refugjatëve që kanë përfshirë vendet e Bashkimit Evropian, kohëve të fundit, i kanë shtyrë këta të fundit që të ballafaqohen me valë të papara të emigrantëve. Më shumë se 140 mijë emigrantë janë regjistruar të kenë hyrë në Hungari, përmes Serbisë, aty ku Hungari është duke ndërtuar një mur të lartë prej 3.5 metra , për të ndaluar fluksin e emigrantëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat