Pamje të dhimbshme: Refugjatët këmbë për në Austri (Foto/Video)

Bota

Pamje të dhimbshme: Refugjatët këmbë për në Austri (Foto/Video)

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 17:54

Më shume se 1,000 refugjatë që mbaheshin në një kamp paraburgimi në Hungari kanë thyer rrethojat dhe janë nisur në këmbë drejt Austrisë nga Budapesti.

Fillimisht turma përbëhej nga 500 refugjatë, por të tjerë refugjatë që prisnin për lëshimin e trenave në stacionin e trenave në Budapest “Keleti” iu kanë bashkuar turmës duke e çuar numrin në 1,000,.

Në mesin e refugjatëve që janë nisur drejt Austrisë në autostradën M5 janë parë edhe persona aftësi të kufizuara që ecnin me paterica dhe karroca invalidore, fëmijë që qanin në supet e prindërve të tyre, të cilët sfiduan veten duke marrë rrugën prej 175 kilometrave, raporton AFP.

E disa të tjerë, në dorë mbajnë fotografinë të kancelares Angela Merkel, e cila së fundmi zyrtarisht tha se Berlini do të lehtësoj kufizimet për dhënien e azilit për sirianët.

“Jemi të lumtur që diçka po ndodh më në fund. Ndalesa e radhës është Austria. Fëmijët janë të lodhur. Hungaria nuk është treguar e mirë me ne dhe ne kemi nevojë që të ikim nga këtu”, ka thënë 23-vjeçari Osama nga Siria për gazetarët.

Ndërkohë, policia ka vëzhguar gjersa refugjatët marshojnë drejt Austrisë, por nuk ka ndërmarrë asgjë që t’i ndalojë. Radhët e gjata të refugjatëve në autostradë kanë krijuar tollovi në trafik.




Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat