Kiev: Raportohet për shpërthim afër Parlamentit

Bota

Kiev: Raportohet për shpërthim afër Parlamentit

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 15:24

Garda Kombëtare e Ukrainës thotë se 4 pjesëtarë të saj kanë “lëndime të rrezikshme për jetë” nga ajo që një ligjvënës e ka përshkruar si shpërthim granate në protestën afër ndërtesës së parlamentit.

Shërbimi për shtyp i gardës tha se dhjetëra protestues, po ashtu, janë plagosur nga shpërthimi, për të cilin ligjvënësi, Anton Harashchenko, tha se ishte shkaktuar nga një “granatë luftarake”, e hedhur kundër rojtarëve të parlamentit gjatë protestës së sotme.

Një korrespondent i rrjetit BBC ka përshkruar se janë dëgjuar tri granata dhe një eksplodim më i madh.

Këto shpërthime u bënë pasi Parlamenti i Ukrainës e ka kaluar në lexim të parë legjislacionin presidencial për ndryshimet kushtetuese, me të cilat do të mundësohet më tepër autonomi për separatistët prorusë në pjesën lindore të këtij vendi.

Dhjetëra ligjvënës i kanë kundërshtuar këto ndryshime dhe për një kohë të shkurtër e kanë bllokuar hapësirën para foltores së Parlamentit.

Njëherësh, jashtë ndërtesës së Parlamentit, dhjetëra aktivistë, që kanë protestuar kundër legjislacionit të propozuar, janë përleshur me policinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat