Numri i refugjatëve dhe emigrantëve arrin mbi 300 mijë

Bota

Numri i refugjatëve dhe emigrantëve arrin mbi 300 mijë

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 20:47

Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se numri i refugjatëve dhe emigrantëve që kalojnë Mesdheun për të arritur në Evropë ka kaluar 300 mijë këtë vit, nga 219 mijë që ishte gjatë gjithë vitit 2014. Një numër i madh refugjatësh kanë gjetur vdekjen gjatë kalimit plot mundime drejt brigjeve evropiane.

Më shumë se 2,500 refugjatë dhe emigrantë kanë humbur jetën gjatë këtij viti dhe nkëtu nuk përfshihen rreth 200 vetë nga Libia, të cilët mund të jenë mbytur gjatë ditës së djeshme. Në vitin 2014, në Mesdhe humbën jetën apo janë zhdukur rreth 3,500 njerëz.

Melissa Fleming, zëdhënëse e UNHCR:

"Kjo tregon qartë për lëvizjet e vazhdueshme me anije të mbingarkuara. Itinerari që sjell njerëz nga Libia nëpër Mesdheut është ende aktiv dhe tejmbushja e anijeve po shkakton vdekjen e njerëzve,” tha Melissa Fleming, zëdhënëse e agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Zonja Fleming tha se dje, 51 persona ishin mbajtur në hambarin e një anijeje gati në gjendje asfiksie. Sipas dëshmitarëve, ata ishin rrahur për t’i detyruar të paguanin në mënyrë që kontrabandistët t’i nxirrnin nga hambari dhe t’i lejonin të merrnin frymë.

Një nga të mbijetuarit, një kirurg ortopedik irakian, tha se kishte paguar 3 mijë euro për të dalë në kuvertë me gruan dhe me djalin dy-vjeçar.

Javën e kaluar, 49 persona gjetën vdekjen në hambarin e një tjetër anijeje, pasi kishin thithur tym helmues. Po ashtu, të mërkurën, 21 persona mendohet të kenë vdekur pasi gomonia e vogël indiane ku ndodheshin kishte 145 veta dhe u gjend në vështirësi, tha zonja Fleming.

Ajo tha se operacionet evropiane të kërkim-shpëtimit FRONTEX kanë shpëtuar dhjetëra mijëra jetë njerëzish gjatë këtij viti, por vendet e BE-së duhet të bëjnë më shumë për trajtimin e këtij problemi, për të cilin agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se është i zgjidhshëm po të ndërmerren veprimet e duhura.

Zonja Fleming tha se ekzistojnë alternativa ligjore për t’i bërë njerëzit të mos ndërmarrin udhëtime të rrezikshme nëpër Mesdhe. Të tilla mund të ishin risistemimet, pranimet për arsye humanitare dhe lehtësimi i vizave për bashkimet familjare.

Zyrtarja u bëri thirrje vendeve evropiane që ta trajtojnë krizën e emigrantëve në frymën e solidaritetit dhe të bashkëpunimit si dhe t’u ofrojnë alternativa ligjore atyre që kërkojnë siguri në Evropë duke ndërmarrë udhëtime të rrezikshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat