Pyetja pa përgjigje: Kush i urdhëron vrasjet politike në Rusi?

Bota

Pyetja pa përgjigje: Kush i urdhëron vrasjet politike në Rusi?

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 08:37

Dhjetë ditë pas vrasjes së Boris Nemtsovit, në një urë pranë Kremlinit, pesë çeçenë janë burgosur në Moskë.

Vrasësi i dyshuar, sipas hetuesve, e ka pranuar fajësinë dhe ka thënë se ka vepruar me urdhër të një personi të njohur si Rusik – pseudonim ky për emrin Ruslan.

Ai dhe një tjetër i dyshuar kanë thënë se Rusik u ka premtuar atyre nga pesë milionë rubla (72,000 dollarë) dhe u ka dhënë makinën që kanë përdorur për krimin.

Nemtsov, udhëheqës i shquar i opozitës dhe armik i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin, është qëlluar për vdekje mbrëmjen e 27 shkurtit, derisa shëtiste me të dashurën e tij nga Ukraina.

Pretendimet e të dyshuarve janë plotësuar shpejt me disa raporte të mediave, të cilat kanë implikuar një zyrtar të lartë të sigurisë në Çeçeni me emrin Ruslan Geremeyev.

Por, pastaj, vrulli është ngadalësuar. Vrasësi i dyshuar, Zaur Dadayev, ka tërhequr rrëfimin e tij, duke thënë se është torturuar. Detektivi kryesor në këtë rast po ashtu është zëvendësuar në muajin maj.

Nemtsov, i cili ka publikuar raporte për korrupsionin në Kremlin, ka qenë duke punuar në një raport për përfshirjen e Rusisë në konfliktin në lindje të Ukrainës.

Vrasja e tij ka qenë vrasja e profilit më të lartë në një vend të rrënuar nga sulmet politike qysh nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik më 1991.

Putin, më 4 mars, ka thënë se vrasja e Nemtsovit ka turpëruar Rusinë.

Por, rezultati i hetimeve mund të jetë i njëjtë si i vrasjeve të tjera të kritikëve të qeverisë, gjatë sundimit 15-vjeçar ë Putinit. Në rastin më të mirë, sulmuesi dhe shoqëruesit mund të dënohen, por nuk qartësohet se kush vërtet qëndron prapa krimit.

Pas vrasjes, më 2006, të gazetares hulumtuese, Anna Politkovskaya, e cila ka raportuar për korrupsionin në Moskë dhe abuzimet me të drejtat e njeriut në Çeçeni, janë dashur tetë vjet dhe dy gjykime për të dënuar personat e akuzuar për krimin, por asnjëri nuk është akuzuar apo identifikuar si organizator i dyshuar.

Askush nuk është gjykuar për vrasjen e Natalya Estemirovas, aktiviste e të drejtave të njeriut, e cila është rrëmbyer në Çeçeni dhe është qëlluar për vdekje në vitin 2009.

Këtë herë, hetimet kanë marrë hov në fillim. Por, avokatët e familjes së Nemtsovit konsiderojnë se ndjekja e Ruslan Geremeyevit është kyçe për avancimin e tyre.

Edhe pse, në muajin prill, hetuesit kanë thënë se do të bëjnë një gjë tillë, ata nuk kanë qenë në gjendje as që të marrin në pyetje Geremeyevin. Ai është zhdukur, duke shkaktuar dyshime se po mbrohet nga Ramzan Kadyrov, lideri çeçen që mban anën e Kremlinit.

Vadim Prokhorov, avokat i familjes Nemtsov, beson se vetëm Putini është në gjendje të zhbllokojë hetuesit.

“Është e paqartë nëse ka vullnet politik për të gjetur dhe kapur Geremeyevin dhe Mukhudinovin”, thotë Prokhorov për Radion Evropa e Lirë, duke iu refereuar edhe shoferit të Geremeyevit, i cili është përshkruar si bashkëpunëtor i dyshuar në krim.

Edhe nëse këta dy njerëz ndiqen penalisht, Prokhorov dyshon se gjyqi me aq do të marrë fund.

“Është e qartë, për fat të keq, se ata nuk do të shkojnë më lart se Geremeyev dhe Mukhudinov, por ne do të luftojmë”, thotë Prokhorov.

Putin, me komentet e tij, tashmë e ka përgatitur vendin me mundësine se autoritetet mund të mos e gjejnë kurrë se kush qëndron pas vrasjes së Nemtsovit.

Duke lavdëruar agjencitë e zbatimit të ligjit për kapjen e shpejtë të pesë çeçenëve dhe duke i quajtur ata “vrasës” e jo të dyshuar, Putin ka sugjeruar se ata që kanë kryer vrasjen mund të kenë vepruar në marrëveshje me njëri-tjetrin dhe jo me urdhër të dikujt.

“Nuk e di ende nëse do t’ia dalin të kapin njerëzit që e kanë urdhëruar apo nëse ka madje njerëz që e kanë urdhëruar”, ka thën Putun, më 16 prill.

Për shumë rusë, ideja se vrasësit e Nemtsovit kanë vepruar të vetëm është qesharake.

Por, kjo është një nga teoritë kryesore që mbrojnë hetuesit federalë qysh në fillim, kur kanë thënë se Nemtsov mund të jetë vrarë për shkak të “pozicionit” të tij për sulmin terrorist kundër revistës satirike Charlie Hebdo, në Paris. Nemtsov e ka dënuar këtë sulm, në të cilin kanë mbetur të vrarë 12 njerëz.

Në muajin mars, Kadyrov po ashtu e ka përmendur këtë si motiv të mundshëm, duke thënë se Dadayev ka qenë një mysliman i devotshëm, i cili është tronditur nga karikaturat e revistës për Profetin Muhamed.

Në të njëjtin postim në Instagram, Kadyrov e ka quajtur Dadayevin “patriot të vërtetë rus”.

Më 22 prill, avokatët e familjes Nemtsov kanë kërkuar zyrtarisht nga Komitetit Hetues Federal që të marrë në pyetje gjashtë zyrtarë të lartë çeçenë, përfshirë Geremeyevin dhe vetë Kadyrovin.

Në një përgjigje për avokatët e Nemtsovit, më 27 prill – e cila është parë nga Radio Evropa e Lirë – hetuesit kanë thënë se do të përpiqen të marrin në pyetje Geremeyevin, por jo edhe Kadyrovin apo të tjerët.

Këtë muaj, vajza e Nemtsovit, Zhanna Nemtsova, ka paraqitur një ankesë, që sfidon refuzimin e hetuesve për të marrë në pyetje Kadyrovin dhe çeçenët e tjerë.

Duke e quajtur vendimin “të paligjshëm dhe të pabazë”, avokati i saj ka thënë se Kadyrov njihet me të dyshuarit e ndaluar dhe “mund të ketë informacione” për organizatorët e vrasjes së Nemtsovit./Rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat