Vazhdon vërshimi i refugjatëve në Evropë

Bota

Vazhdon vërshimi i refugjatëve në Evropë

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 00:21

Kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi sot një strehë për refugjatët në qytetin lindor Heidenau, ku gjatë fundjavës së kaluar shpërthyen protesta të dhunshme kundër refugjatëve. Agjencia e OKB-së për refugjatët po u bën thirrje të gjitha qeverive që t’i përgjigjen me dhembshuri valës së personave të zhvendosur që janë në kërkim të sigurisë në vendet evropiane.

Vizita e zonjës Merkel vjen dy ditë pasi qeveria gjermane dënoi sulmin e një turme të dehur, duke bërë që opozita t’i kërkojë kancelares së vendit të shprehë personalisht mbështetjen e saj për azilkërkuesit.

Gjatë vizitës në Haidenau, zonja Merkel ofroi një mesazh mbështetjeje për viktimat e abuzimit:

"Nuk ka tolerancë për ata njerëz që venë në pikëpyetje dinjitetin e të tjerëve, nuk ka tolerancë për ata që nuk janë të gatshëm për të ndihmuar aty ku ndihma ligjore dhe njerëzore është e nevojshme," tha kancelarja Merkel përpara gazetarëve dhe banorëve vendas.

Ndërkohë që në Gjermani ka patur thuajse çdo ditë sulme kundër vendstrehimeve të refugjatëve dhe politikanët kanë paralajmëruar për një shtim të ksenofobisë, kabineti gjerman ka rënë dakord mbi një projekt-ligj, i cili parashikon përdorimin e menjëhershëm të 500 milion eurove për strehimin e azilkërkuesve, shumë që ishte caktuar për vitin 2016.

Zyrtarët thonë se një numër rekord emigrantësh po hyjnë në Hungari dhe po arrijnë në shumë vende të tjera të Evropës. Agjencia e OKB-së për refugjatët po u bën thirrje të gjitha qeverive që t’i përgjigjen me dhembshuri kësaj vale njerëzish të zhvendosur dhe që janë në kërkim të sigurisë.

Hungaria ka regjistruar më shumë se 100 mijë emigrantë të rinj në vitin 2015, më shumë se dyfishi i vitit të kaluar. Autoritetet thanë se rreth 2,100 vetë kaluan kufirin të hënën, numri më i lartë i tyre në një ditë të vetme.

Hungaria, anëtare e Bashkimit Evropian, po nxiton të përfundojë një gardh në kufirin e saj për të kontrolluar vërshimin e emigrantëve, të cilët udhëtojnë përmes Serbisë për të arritur në kufirin e një shteti të BE-së, me shpresën për të gjetur ndihmë, strehim dhe punë.

Mijëra emigrantë, kryesisht nga Siria, Iraku dhe Afganistani, janë duke ndjekur këtë rrugë pas kalimit të Mesdheut dhe arritjes në Greqi. Policia në Maqedoni fillimisht i pengoi ata, por pas përleshjeve të premten dhe të shtunën, emigrantët arritën të çajnë kordonin e policisë dhe të hyjnë në Serbi.

Agjencia e OKB-së për refugjatët tha dje se pret që më shumë se 3 mijë njerëz në ditë të kalojnë nga Greqia në Maqedoni, të paktën gjatë disa ditëve të ardhshme. Agjencia theksoi nevojën për një trajtim human të tyre dhe tha se kjo gjendje nuk do të ndryshojë për sa kohë që kushtet në Siri dhe Irak mbeten të pandryshuara.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se kanë nevojë për fonde prej 7.5 miliard dollarësh gjatë këtij viti për të ndihmuar refugjatët sirianë, por premtimet nga vendet anëtare deri tani mbulojnë vetëm 30 për qind të kësaj shume.

Ndërkohë, raportues të OKB-së për të drejtat e emigrantëve, thanë dje se Evropa po dështon në përgjigjen e saj dhe ka nevojë për një politikë të re migrimi që e vë theksin te liria e lëvizjes. Ata thanë se ndërtimi i gardheve, përdorimi i gazit lotsjellës dhe formave të tjera të dhunës kundër emigrantëve dhe azilkërkuesve, nuk do t’i ndalin ata të vijnë në Evropë.

Organizata Ndërkombëtare për Migrimin thotë se më shumë se 250,000 emigrantë kanë arritur në Evropë këtë vit, shumica prej tyre përmes Italisë dhe Greqisë. Rreth 2,400 njerëz kanë humbur jetën gjatë këtij udhëtimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat