Rusia do edhe Polin e Veriut - synimi është nafta (Video)

Bota

Rusia do edhe Polin e Veriut - synimi është nafta (Video)

Më: 5 gusht 2015 Në ora: 08:09

Pas tensioneve të larta për Krimenë, Rusia nuk heq dorë nga pretendimet e saj territoriale, këtë herë për në Artik.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov i ka paraqitur një dokument Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke thënë se vendit të tij i takojnë 1.2 milion metra katrorë nga Artiku.

Por, Moska nuk është e vetme. SHBA-të, Kanadaja, Danimarka dhe Norvegjia për një kohë të gjatë kanë kërkuar juridiksion mbi disa pjesë të Artikut, por pas pretendimeve të tyre, fshihet një tjetër qëllim.

Artiku është pjesa e planetit e cila besohet se ka rreth një të katërtën e naftës dhe gazit të natyror të pazbuluar ende. Rivaliteti për këto burime ka intensifikuar mundësitë e eksplorimit për arin e zi.

Në fakt që në vitin 2002, Rusia është e para e cila ka paraqitur një kërkesë për territor atje, por OKB-ja e ka kthyer mbrapsht për shkak të mungesës së provave.

Ndërsa këtë herë, Ministria e Jashtme pretendon se dokumentet përmbajnë argumente të reja.

"Kemi të dhëna të mjaftueshme shkencore, të mbledhura ndër vite, hulumtim pas hulumtimi”, shkruhet në deklaratë.

Tani qeveria e Moskës pret që Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Kufijtë kontinental, të shqyrtojë kërkesën e tyre në vjeshtën e këtij viti.

Në mesin e marrëdhënieve të ngrira me Perëndimin për Ukrainën, Kremlini kohët e fundit po bën disa lëvizje për t’i dhënë më tepër peshë forcave ushtarake ruse në Artik.

Ky mision i ri konsiston ne restaurimin e një baze të epokës sovjetike në ishujt siberian, si edhe për baza të tjera ushtarake në rajon.

Zyrtarët rusë thanë se këto objekte janë të nevojshme për të mbrojtur rrugët e transportit që lidhin Europën me rajonin e Paqësorit dhe Oqeanin e Ngrirë të Veriut.

Ndërsa më herët, edhe pse në heshtje, Ushtria Ruse ka kryer manovra të ndryshme në Artik ku janë përfshirë 38.000 ushtarë, më shumë se 50 anije dhe nëndetëse, si dhe 110 avionë ushtarakë. /Top Channel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat