Parakalim në Zagreb për 20-vjetorin e çlirimit

Bota

Parakalim në Zagreb për 20-vjetorin e çlirimit

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 21:43

Nëpër rrugët e kryeqytetit kroat, Zagrebit, defiloi sot një parakalim solemn ushtarak me të cilin u shënua Dita e Fitores dhe Falënderimit Atdhetar dhe Dita e Mbrojtësve Kroatë, si dhe 20-vjetori i aksionit ushtarak “Shtrëngata” (“Oluja”) me të cilin forcat kroate përfundimisht e mposhtën agresorin serb dhe e çliruan vendin.

Në parakalim është demonstruar aftësia dhe gatishmëria e Ushtrisë kroate, e cila është anëtare e NATO-s, lajmërojnë agjencitë.

Pasi që presidentja dhe komandante supreme e Forcave të armatosura kroate Kolinda Grabar Kitaroviq dha urdhrin për fillimin e parakalimit solemn, gjashtë topa të kalibrit 76 mm me tre plotune shënuan fillimin e pjesës ushtarake të solemnitetit.

Pasuan fluturimet e aeroplanëve luftarakë MIG-21 të aviacionit luftarak kroat, si dhe parakaluan fluturaket Canadair, Pilatus, helikopterët MI-8 MTV, Bell e tjera, ndërsa në pjesën e pajisjeve të motorizuara u angazhuan edhe tanke M-84, automjete luftarake dhe teknikë tjetër.

Gjatë kalimit të aradheve të mbrojtësve kroatë, gjashtë topa shkrepën 20 plotune nderi që simbolizuan 20 vitet e operacionit fitimtar “Shtrëngata”, respektivisht 20 vitet e kaluara në paqe dhe liri.

Gjithsej, në parakalimin në Zag reb morën pjesë 3.000 ushtarë, 300 automjete dhe 30 aeroplanë. Kolona ishte e gjatë rreth 5 kilometra, ndërsa parakalimin e hapën dhe e mbyllën aeroplanët MIG.

Me këtë rast u mbajt edhe një program i pasur kulturor-artistik, që shfaqi vlerat e trashëgimisë kroate.

Në manifestimin në kryeqendrën kroate, krahas udhëheqësve më të lartë të shtetit, ndër mysafirët prej mbi 20 vende, morën pjesë edhe dy gjeneralë amerikanë, si dhe prijësit më të lartë ushtarakë të Shqipërisë – shefi i Shtabit Suprem, gjenerali Jeronim Bazo – Bosnje e Hercegovinës, Polonisë, Maqedonisë, Lituanisë etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat