Zyrtare: Copëza e gjetur i përket avionit “MH370”

Bota

Zyrtare: Copëza e gjetur i përket avionit “MH370”

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 12:35

Tani është zyrtare. Pjesa e gjetur në ishullin Reunion, në brigjet e Oqeanit Indian, është pjesë e avionit Boeing 777, i fluturimit MH370 të kompanisë “Malaysian Airlines”, që u zhduk nga radarët në muajin mars.

Lajmin e konfirmoi në një konferencë shtypi për mediat vetë ministri malajzian i Transportit, Liow Tiong Lai.

Zbulimi u bë nga një hetim i hollësishëm i autoriteteve franceze në bashkëpunim me përfaqësues të kompanisë krijuese të Boeing, bordin e Sigurisë Kombëtare të Transportit amerikan dhe skuadrës malajziane.

“Pavarësisht konfirmimit që kemi marrë, ne do të dërgojmë të tjerë specialistë nga SHBA, Kina, Franca dhe vetë kompania Boeing. Ndërkohë, shteti ynë po kërkon asistencë nga autoritetet portuale të territoreve pranë ishullit Reunion dhe Oqeanit Indian për të tjera pjesë apo detaje, pasi kjo do t’u mundësonte ekspertëve një analizë edhe më të detajuar mbi avionin e zhdukur të fluturimit MH370”, deklaroi ministri malajzian.

Ndërkohë, sipas burimeve lokale, gjatë ditës së diel, një tjetër copëz avioni është gjetur në plazhin La Reunion, në bregun e Oqeanit Indian, që besohet të jetë gjithashtu e Boing 777.

Fluturimi MH370 u deklarua i zhdukur në itinerarin Kuala Lumpur - Pekin më 8 mars të këtij viti, me 239 pasagjerë në bord, shumica e të cilëve shtetas kinezë.

Avioni nuk është gjetur deri më tani, pavarësisht kërkimeve në një sipërfaqe të gjerë mbi dhe nënujore, gjë që e kthen ngjarjen në misterin më të madh të historisë së fluturimeve ajrore deri më sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat