Dyndje të reja emigrantësh drejt Britanisë

Bota

Dyndje të reja emigrantësh drejt Britanisë

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 06:41

Autoritetet në qyetin port Kale’ të Francës thonë se 1500 emigrantë të tjerë janë përpjekur të hyjnë në Eurotunnel me shpresën për të arritur në Britani. Zyrtarët thanë gjithashtu se kanë gjetur trupin e të paktën një personi që humbi jetën në përpjekje për të kaluar në Britani.

Policia franceze tha sot se emigrantët u përpoqën të hyjnë në Eurotunnel gjatë natës duke u gdhirë e mërkura, pasi arriti të sprapsë më shumë se 2.000 prej tyre të hënën mbrëma.

Personi i cili humbi jetën njoftohet se është një sudanez i moshës 25 deri 30 vjeç që mund të ketë qenë goditur nga një kamion.

Dje, përplasjet me policinë në tunel shkaktuan vonesa të mëdha gjatë pjesës më të madhe të ditës. Vonesat përfshinë sidomos trafikun e makinave me pushues britanikë që hynin në kontinent.

Sekretarja e brendshme britanike Theresa May tha se qeveria e saj do të japë 10.8 milion dollarë të tjera për të ndihmuar Francën të sigurojë hyrjen e Eurotunnelit:

"I kuptoj shqetësimet që kanë njerëzit dhe problemet e shkaktuara si pasojë e vonesave, veçanërisht në Eurotunnel, por edhe në portin e Kalesë. Qeveritë britanike dhe franceze po punojnë nga afër, por në fund të fundit, nëse duam ta zgjidhim këtë problem, ne duhet të marrim masa që emigrantët të mos e ndërmarrin fare një udhëtim të tillë, të mos vijnë në Evropë.”

Zyrtarët e Eurotunnelit thanë se dyndja e tanishme është më e madhja nga disa përpjekje të tilla të ndërmarra në gjashtë javët e fundit nga mijëra refugjatë për të hyrë në Britani.

Deri në 10 mijë emigrantë nga Afrika, Lindja e Mesme dhe më gjerë banojnë në kushte të mjera në kampet pranë Kalesë, një qytet me 70.000 banorë. Vëzhguesit thonë se përpjekjet për të hyrë në tunelin prej 50 kilometrash janë intensifikuar javët e fundit, pasi autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë në port, për të mos lejuar emigrantët të fshihen nëpër anijet e mallrave që lundrojnë drejt Britanisë.

Gazeta britanike Guardian shkruan se çdo ditë në Kale arrijnë më shumë se 150 emigrantë, duke i bërë autoritetet të japin alarmin se deri në fund të gushtit në Britani mund të përpiqen të hyjnë deri në 10 mijë emigrantë.

Kryeministri David Cameron ka kundërshtuar përpjekjet e udhëheqësve evropianë për të detyruar Britaninë të pranojë kuota të caktuara refugjatësh që kalojnë Mesdheun në kërkim të një jete më të mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat