SHBA, debati mbi marrëveshjen me Iranin

Bota

SHBA, debati mbi marrëveshjen me Iranin

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 00:05

Këtë javë, Presidenti Barak Obama kthehet nga turneu i tij në Afrikë për t'u përballur me Kongresin amerikan, të pakënaqur nga marrëveshje bërthamore me Iranin, pavarësisht se ajo ka marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përpjekjet lobuese dhe dëshmitë nga ana e zyrtarëve të lartë të administratës kanë fituar disa mbështetës të rinj të marrëveshjes në Kongres.

"Shpresoj se ne do ta hedhim poshtë këtë marrëveshje," shprehet senatori republikan Lindsey Graham.

Periudha 60-ditore e shqyrtimit nga Kongresi të marrëveshjes ndërkombëtare me Iranin tashmë ka filluar.

"Ne i dhamë atyre bombën, raketat për ta transportuar atë dhe paratë për financimin e saj. Kjo është një marrëveshje e tmerrshme," tha Lindsey Graham, senator republikan.

"Besoj se ju jeni mashtruar," tha Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, i cili përdori fjalë të ashpra ndaj Sekretarit të Shtetit John Kerry.

"Unë mendoj se përmes negociatave ju i keni hapur rrugën Iranit që të prodhojë një armë bërthamore thjesht duke respektuar këtë marrëveshje".

Sekretari Kerry këmbëngul se vetëm marrëveshja e arritur në Vjenë mund të ndalë marshimin e Iranit drejt një arsenali bërthamor.

"Ata tashmë janë në gjendje të prodhojnë karburant bërthamor. Kur filluam negociatat, Irani kishte lëndë bërthamore, të mjaftueshme për 10-12 bomba. Ata kishin 19 mijë centrifuga".

Ndërprerja e plotë e programit bërthamor të Iranit, siç sugjerohet nga disa ligjvënës amerikanë, do të kërkonte një opsion tjetër, thotë Sekretari Kerry.

"Veprime ushtarake, sepse ata nuk do të ndaleshin me rrugë të tjera".

Shumë demokratë ende nuk e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre.

"Ne nuk i besojmë Iranit. Por gjatë shqyrtimit të marrëveshjes ne duhet të heqim dorë nga emocionet. Ne duhet të vendosim nëse respektimi i kësaj marrëveshje nga ana e Shteteve të Bashkuara do të zvogëlonte apo do të shtonte shanset e shndërrimit të Iranit në një fuqi bërthamore".

Amerikanët kanë filluar të shohin reklama televizive kundër marrëveshjes nga grupet lobuese.

Anketat fillestare tregojnë se shumica e mbështesin marrëveshjen, por ka një skepticizëm të gjërë mbi atë nëse ajo do të parandalojë Teheranin të prodhojë armë bërthamore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat