Greqia nesër paraqet propozimin

Bota

Greqia nesër paraqet propozimin

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 19:24

Liderët e eurozonës kanë mbërritur në samitin emergjent për Greqinë në Bruksel. Kryeministri grek, Aleksis Cipras ka takuar Kancelaren gjermane, Angela Merkel, Presidentin francez, Fransua Hollond dhe Presidentin e Bashkimit Europian, Jean-Claude Juncker.

Një zyrtar grek tha për "Reuters" se Athina po bën përparime në propozimet për zgjatjen e programit të ndihmës, krahasuar me atë që paraqiti javën e shkuar. Masat do të mbulojnë reformat ekonomike, investime dhe zgjatjen e borxhit. Këto propozime do të diskutohen sot dhe të mërkurën, në thirrjen telefonike me Eurogrupin. Qëllimi i tyre është të rikthehet financimi në sektorin bankar.

Ministri finlandez i Financave shkroi në "Twitter" se takimi i sotëm ishte "i dobishëm", edhe pse Greqia nuk ka paraqitur një kërkesë për ndihmë.

Para samitit, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, Presidenti francez, Fransua Holond dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker janë mbyllur në zyrë me këshilltarët e tyre.

Komisioneri Europian, Pierre Moscovici shpreson për arritjen e një marrëveshjeje me Greqinë. Edhe Presidenti francez, Fransua Hollond është shprehur optimist: "Greqia ka nevojë për propozime serioze dhe të besueshme dhe duhet t'i paraqesë sa më shpejt reformat e saj". Në një linjë me kancelaren Merkel, ai foli për rëndësinë që ka përgjegjësia dhe solidariteti i vendeve të Eurozonës. "Objektivi ynë është ta mbajmë Greqinë në Euro. Nuk do të kthehemi të bisedojmë për Greqinë çdo tre muaj", tha ai.


Fransua Hollond

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka dhënë një mesazh të qartë: “Nuk ka ende një bazë për negociatat, pas “jo”-së shumë të qartë në referendumin e së dielës. Solidariteti në nivelin evropian dhe përgjegjësia në nivelin kombëtar janë ende të rëndësishme. Pa solidaritet dhe pa reforma, ne nuk mund të ndjekim këtë rrugë”. Dhe kancelarja përfundon, duke paralajmëruar shkurt: “Tashmë nuk është çështje javësh, por çështje ditësh”.


Angela Merkel

Sipas burimeve zyrtare greke, Presidenti amerikan, Barak Obama ka folur me Kryeministrin grek, Aleksis Cipras për propozimet e Greqisë, të cilit i ka shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për prespektivën e përshkallëzimit të krizës. Kryeministri grek, Aleksis Cipras ka mbërritur në samit, me një pamje të gëzuar dhe të relaksuar, por nuk ndalon për t’u prononcuar për gazetarët.


Aleksis Cipras

Kryeministri holandez, Mark Rutte, teksa mbërrin në samit, paralajmëron: “Greqia po ndërmerr një rrezik të madh, e vetmja zgjidhje është të ndërmerren reforma. Nëse nuk vjen me propozime të shpejta, liderët e eurozonës nuk do të mund ta ndihmojnë.”

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka thënë për reporterët se zgjidhja për krizën greke “varet nga zoti Cipras”, ndërsa ka shtuar se ndihet i lumtur të takohet me të për të diskutuar për një zgjidhje.


Jean-Claude Juncker

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat