Pushime megjithë krizën

Bota

Pushime megjithë krizën

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 08:52

Atmosfera e nxehtë në Greqi u shkakton shumë njerëzve kokëçarje. Zhvillimet politike të javëve të ardhshme do të kenë ndikim të madh në turizëm.

Është e vështirë të vlerësosh si do të zhvillohet turizmi javët e ardhshme në Greqi. Situatën e rëndon më tej edhe futja e kontrollit të kapitalit, që javën e kaluar. Pamjet e pensionistëve, që rrinë në radhë para bankave u shpërndanë nëpër botë dhe efekti i tyre nuk është ftues për turistt. Por as shoqëritë turistike gjermane, as Shoqata Greke e Turizmit nuk tregohen pesimistë. Deri tani bëhet fjalë për një vit të mbarë.

Megjithatë, në ditët e fundit ka pasur rënie të rezervimeve, pranon shefi i Shoqatës Greke të Turizmit, Andreas Andreadis: "Që prej javës së fundit rezervimet kanë rënë 30 deri 40 përqind". Ngjashëm e përshkruan gjendjen edhe Mario Köpers, Drejtor Ekzekutiv për Komunikimin e sipërmarrjes TUI, sipërmarrjes kryesore në tregun gjerman që ofron udhëtime për në Greqi. Por ai tërheq vëmendjen që pushuesit nuk kanë pse të kenë frikë nga asgjë në Greqi. Ai ishte para pak kohe vetë në Kretë, në ishullin më të madh të Greqisë dhe objektiv të mijëra turistëve, për të krijuar një përshtypje të vetën për situatën. "Me përjashtim të faktit që njerëzit debatojnë në rrugë për të ardhmen e Greqisë, atje gjithçka ecën normalisht. Përditshmëria është normale dhe në hotelet e turistëve gjithsesi nuk depërton gjë. Gjendja e furnizimeve momentalisht është absolutisht e siguruar. Në fakt, gjithçka si gjithmonë."

Pasiguria - armiku më i madh

Köpers thotë se nuk ka anulime udhëtimesh, që të kenë të bëjnë me gjendjen aktuale në Greqi. Në Gjermani, një pjesë e madhe e pushuesve i prenoton pushimet në avancë dhe shumë kohë përpara. Kështu ka bërë edhe 27 vjeçarja Alison Erkens. Ajo para disa muajsh e kishte prenotuar së bashku me shokun e saj pushimin: dy javë në ishullin e Rodit.

Lajmet e ditëve të fundit e patën shqetësuar, por asnjëherë ajo nuk mendoi ta anulojë pushimin. "Ne nuk kemi qenë asnjëherë më parë në Greqi dhe nuk e shohim kaq ngushtë. Në fillim unë u tremba, por ne marrim gjithsesi vetëm para të thata me vete në pushime, nuk tërheqim kurrë nga bankomati." Si Köpers, ashtu edhe Andreadis konfirmojnë se kartat e debitit EC dhe ato të kreditit funksionojnë pa kufizime.

Ka pushues që për shkak të atentatit javën e kaluar në Tunizi, i cili u kushtoi jetën 38 vetëve, e anulojnë pushimin atje. Ata kërkojnë vende të tjera jugore si destinacion pushimesh. Midis të tjerash, Greqinë. Shumë shoqëri udhëtimesh, midis tyre TUI e ndryshojnë prenotimin dhe u mundësojnë atyre një destinacion të ri pushimesh, pa u kërkuar të paguajnë para shtesë, siç bëhet zakonisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat