UNESCO: Spastrim kulturor në zonat e konfliktit

Bota

UNESCO: Spastrim kulturor në zonat e konfliktit

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 00:04

Shefja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Trashëgiminë Kulturore globale thotë se shkatërrimi i objekteve të lashta nga ISIS në Irak dhe Siri ka ndikime afatgjata tek siguria dhe paqja në rajon. UNESCO thotë se shumë nga reliket kulturore që nuk janë shkatërruar, po shiten në tregun e zi për të financuar operacionet ekstremiste.

Ekstremistë të grupit Shteti Islamik kanë shpërndarë me mburrje video të luftëtarëve të tyre duke shkatërruar në shkurt artifakte të lashta në muzeun e Mosulit në Irak. Ky grup i konsideron këto objekte dhe skulptura si ofezë për besimin, pasi shkelin mësimet e fesë islame.

Revoltimi që shprehën arkeologët dhe specialistët u prit me kritika nga të tjerë, të cilët thonin se shkatërrimi i objekteve të gurta nuk mund të krahasohet me vdekjen dhe vuajtjet e dhjetëra mijëra njerëzve gjatë konfliktit.

Por në institutin Chatam House të Londrës, shefja e UNESCO-s Irina Bukova tha se shqetësimi nuk ka të bëjë thjesht me vlerën materiale dhe artistike të objekteve:

“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore është një domosdoshmëri e klimës së sigurisë dhe një ndër parametrat e vendosjes së paqes”.

Zonja Bukova tha se shkatërrimi i dëshmive historike të një kombi të caktuar e bën më të vështirë rikuperimin pas konfliktit, duke i lënë njerëzit më të brishtë në të ardhmen:

“Është e gjitha pjesë e një strategjie, pjesë e spastrimit kulturor. Spastrimi kulturor është shkelje e të drejtave të njeriut për mijëra vetë, në mos miliona gra e burra, si dhe komunitete. Por ai minon gjithashtu mundësinë për dialog në të ardhmen, për rivendosjen e paqes dhe ripajtimin”.

Vendosja e paqes dhe ripajtimi duken larg për momentin në Siri dhe Irak. UNESCO thotë se shumë nga reliket kulturore që nuk janë shkatërruar, po shiten në tregun e zi për të financuar operacionet ekstremiste.

Zonja Bukova thotë se organizata po punon për të luftuar tregtinë e artifakteve të vjedhura dhe për të sjellë trafikantët para drejtësisë.

Por është një përpjekje komplekse dhe e vështirë. Ndërkaq në zonat e konfliktit ekstremistët vazhdojnë të shkatërrojnë gjurmë të kulturave dhe qytetërimeve parahistorike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat