Obama: Lufta kundër ISIS, një "fushatë afatgjatë."

Bota

Obama: Lufta kundër ISIS, një "fushatë afatgjatë."

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 23:53

Presidenti Barak Obama tha se lufta kundër grupit Shteti Islamik nuk do të jetë e shpejtë, por një "fushatë afatgjatë."

Zoti Obama u tha gazetarëve të hënën se ISIS është një grup i shkathët që di të shfrytëzojë terrenin dhe që i ka pozicionet brenda në popullsinë civile. Ai tha se mposhtja e militantëve të Shtetit Islamik duhet të jetë punë e forcave lokale në terren, të cilat, shtoi ai, do të vazhdojnë të marrin trajnim dhe mbështetje ajrore nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i bëri komentet pas një vizite të pazakontë në Pentagon për të biseduar me këshilltarët e sigurisë kombëtare, duke përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Ash Carter, lidhur me detajimin e strategjisë amerikane për të mposhtur militantët e Shtetit Islamik, të cilët po veprojnë në shkallë të gjerë në Irak dhe Siri.

Takimi vjen pas një fundjave sulmesh ajrore intensive të ndërmarra nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA kundër militantëve, të cilët kanë nën kontroll hapësira të mëdha të Irakut verior e perëndimor dhe të Sirisë lindore. Koalicioni ndërmori 38 sulme, gati gjysma e tyre kundër rrethinave të kryeqytetit të vetëshpallur të ISIS, Raqqa.

Në një konferencë shtypi në Pentagon me ministrin francez të Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, Sekretari Carter tha se sulmet e koalicionit rreth Raqqas synojnë të kufizojnë lirinë e lëvizjes së grupit Shteti Islamik dhe janë bërë të mundura falë veprimeve efektive të forcave kurde atje.

Në kushtet kur SHBA nuk kanë forca në terren në Siri, zoti Carter tha se forcat vendore duhet të caktojnë objektivat e sulmeve ajrore. Vetëm pasi këto objektiva të jenë vlerësuar për të shmangur viktimat e mundshme civile, tha ai, forcat amerikane do të ndërmarrin sulme kundër këtyre objektivave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat