Programi atomik i Iranit - fëmijë i Uashingtonit

Bota

Programi atomik i Iranit - fëmijë i Uashingtonit

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 10:09

Bisedimet ndërkombëtare për programin bërthamor të Iranit më tepër kanë dëshmuar për përplasje e jo për unitet ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit.

Përkundër ndarjes aktuale, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rol kryesor në krijimin e programit bërthamor iranian prej fillimit të tij.

Fillimi i programit atomik të Iranit mund të thuhet se daton prej 8 dhjetorit 1953, kur presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Dwight D. Eisenhower, e mbajti një fjalim, i cili më vonë është emëruar si fjalimi Atomet për Paqe, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Eisenhower e ka shfrytëzuar këtë fjalim për ta paraqitur para botës pozitivitetin e energjisë bërthamore, për ta përdorë atë “për të prodhuar energji të bollshme elektrike në hapësirat në botë që kanë probleme me energji”.

Sipas planit të tij, presidenti i atëhershëm amerikan tha se Shtetet e Bashkuara do t’i ndihmonin me teknologjinë e domosdoshme dhe me ekspertizë, vendet që janë të etshme të krijojnë programe civile bërthamore.

Eisenhower e propozoi krijimin e ANEB-it

Për të qenë i sigurt se materialet atomike nuk do të shfrytëzoheshin për prodhim të armatimit bërthamor, Eisenhower propozoi krijimin e organit mbikëqyrës brenda Kombeve të Bashkuara. Më vonë ky mbikëqyrës u bë Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB).

Për ta zbatuar vizionin e presidentit Eisenhower, Uashingtoni e krijoi programin Atomet për Paqe, nëpërmjet të të cilit Shtetet e Bashkuara do të dërgonin reaktorë kërkimorë, karburant dhe ushtrime shkencore për vendet në zhvillim, që ishin të gatshme për ta shfrytëzuar fuqinë e atomit.

Rivaliteti Uashington - Moskë

Kjo ndërmarrje, pjesërisht, ishte e motivuar në rivalitetin e Luftës së Ftohtë ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit, derisa të dy kryeqytetet përpiqeshin t’i fitojnë aleatët duke i joshur me fuqinë e bërthamës, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, Mark Fiztzpatrick, drejtor në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike me seli në Londër.

“U shndërrua në pikë kryesore të shfrytëzimit gjatë Luftës së Ftohtë; secila nga superfuqitë, e ndante teknologjinë atomike me aleatët, për t’i forcuar lidhjet”, tha Mark Fitzpatrick.

Në mesin e vendeve të para të cilin e kanë mbështetur Shtetet e Bashkuara ishte Irani.

Në vitin 1957, Teherani dhe Uashingtoni e nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim bërthamor, me titullin formal Bashkëpunimi Lidhur me Përdorimin Civil të Atomit.

“Prapa kësaj marrëveshjeje qëndronte domosdoshmëria politike dhe komerciale. Politike, për shkak të forcimit të rolit të Iranit në atë kohë në rrethin e marrëdhënieve amerikane dhe komerciale, pasi Irani e vështronte për së afërti programin e madh të energjisë bërthamore, dhe me sa duket, kompanitë amerikane e kanë furnizuar Iranin me pjesën më të madhe të pajisjeve për këtë program atomik”, tha Mark Fitzpatrick.

Dy vite më vonë, më 1959, Shahu i Iranit, Mohamed Reza Pahlavi, e krijoi Qendrën Kërkimore Bërthamore në Universitetin e Teheranit.

Dërgohet reaktori i parë amerikan në Iran

Në vitin 1967 Shtetet e Bashkuara e dërguan në Teheran reaktorin atomik kërkimor prej 5 megavatësh, dhe uraniumin e pasuruar në nivel të lartë.

Por, për t’i dëshmuar botës se planet ishin paqësore, Irani në korrik të vitit 1968 e nënshkroi Marrëveshjen për Moszgjerim Atomik, që në ditën e parë kur ajo u hap për firmosje.

Duke parë nevojën për ekspertë bërthamorë, Organizata për Energji Atomike e Iranit, që ishte formuar për mbikëqyrjen e programit bërthamor, kërkoi nga Insntituti i Teknologjisë në Masaçusets, që është njëri nga universitetet inxhinierike më të forta në Shtetet e Bashkuara, ta formoj një program special për afëtësimin e ekspertëve iranianë për fushën e energjisë atomike.

Paraqitja e mosbesimeve të para

Megjithqë, bashkëpunimi bërthamor ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit kishte filluar të jepte rezultate, nisën të paraqiten edhe mosbesimet e para.

Eksperti Mark Fitzpatrick thekson:

“Pa dyshim, kishte shqetësime lidhur me qëllimet atomike të Shahut. Dëshmitë historike tregonin se ai qartas kishte në mendje programin e armatimit atomik. Ai nuk ishte shumë korrekt, pjesërisht për shkak se Shtetet e Bashkuara e kishin ndryshuar politikën e vet lidhur me teknologjitë e ndjeshme atomike”, tha Mark Fitzpatrick.

Viti 1979 – ndërprerje e bashkëpunimit

Sikur në ditët aktuale, Uashingtoni ishte i shqetësuar për planet e Iranit për riprocesimin e karburantit atomik. Plutoniumi i ndarë nga ky karburant i “përdorur” mund të përdoret si lëndë djegëse e reaktorëve, por edhe për të prodhuar armatim atomik.

“Shtetet e Bashkuara e kishin përdorë politikën e promovimit të riprocesimit për shkak se ishte mënyrë e riciklimit të atomeve të përdorura. Por, kjo politikë ndryshoi në fund të administratës së presidentit amerikan, Gerard Ford, dhe ishte përforcuar nga administrata e presidentit, Jimmy Carter, që të mos mbështetet dhe të kundërshtohet riprocesimi dhe dhënia e teknologjive për Shahun e Iranit dhe për ta parandaluar atë që ta marrë nga ndonjë vend tjetër”, tha Mark Fitzpatrick.

Në një intervistë ekskluzive për Radion Evropa e Lirë, Akbar Etemad, babai i programit atomik iranian, tha se negociatat me Shtetet e Bashkuara dhe me ish-Bashkimin Sovjetik, ishin ballafaquar me sfida prej fillimit.

“Shahu tha së pari se e gjithë ajo që dua është që të kemi energji atomike pasi ne na duhet ajo. Ai shtoi se tash ne nuk kemi nevojë për armatim atomik pasi Irani është fuqi kryesore rajonale. Por, në 15 apo 20 vitet e ardhshme balanca rajonale ushtarake ndryshon dhe ne duhet të shohim se çka nevojitet të bëjmë”, tha Akbar Etemad.

Për shkak të dyshimeve dhe mosbesimit, bashkëpunimi atomik i Shteteve të Bashkuara me Iranin u shkatërrua në vitin 1979, jo për shkak të mospajtimeve teknike por për shkak të rrëmujës politike.

Revolucioni iranian e përfundoi sundimin e Shaut Reza Pahlavi në Iran dhe me këtë edhe lidhjet formale ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit, përfshirë, natyrisht, edhe bashkëpunimin atomik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat