Ashpërsohet lufta për pushtet në Ukrainë

Bota

Ashpërsohet lufta për pushtet në Ukrainë

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 09:55

Shtatë muaj pas krijimit të një qeverie koalicioni në Ukrainë, kryeministri Arseni Jazenjuk humbi dy ministra në të njëjtën ditë. I pari që u detyrua të largohet të enjten ishte ministri i Ambjentit, Ihor Shevçenko. 44 vjeçari e pësoi për shkak të një fluturimi nga Nizza në Kiev, në avion privat me një biznesmen të dyshimtë - ky është versioni i qeverisë. Ndërsa ministri i shkarkuar i kundërshton të gjitha akuzat për korrupsion.
Vëzhguesit në Kiev besojnë se pas kësaj mund të fshihet një luftë për ndikim politik dhe qasje në pasuritë nëntokësore, para së gjithash te gazi. Mediet ukrainase e përshkruajnë Shevçenkon si një person që dikur ka qenë i afërt me ish-kryeministren Julia Timoshenko. Timoshenko thotë se partia e saj vërtet që bën pjesë në koalicionin në Parlament, por nuk është e përfaqësuar me ministra.

Lamtumirë bartësit të shpresave nga Gjeorgjia

Akoma më shumë e tërhoqi vëmendjen shkarkimi i dytë: edhe Alexander Kvitashvilin, gjeorgjian dhe njëri nga tri ministrat nga Gjeorgjia e detyruan të largohet. "Ne nuk kemi asnjë ankesë për ministrin, por sot ai nuk mund ta drejtojë Ministrinë", tha Ihor Kononenko, zëvendëskryetar i Grupit Parlamentar të aleancës së Poroshenkos, BPP. Gjendja në Ministrinë e Shëndetësisë është "e pakontrollueshme". Të mërkurën, bashkëatdhetari i Kvitashvilit dhe ish-President i Gjeorgjisë e përforcoi qendrimin: "Unë i thashë se ka ardhur koha që të ikë", tha Mihail Sakashvili, i cili që prej pak kohësh është guvernator i rajonit të Odesës. Ukrainës i duhet një "burrë më agresiv", i cili ta luftojë korrupsionin.

Ministri i Shëndetësisë ka dhënë dorëheqjen, informoi partia e Presidentit në twitter. Por Ministria e tij e përgenjeshtroi këtë dhe në medie kishte konfuzion. Vetëm pasdite Kvitashvili deklaroi se do të jepte dorëheqjen nga posti. "Nëse aleanca, që më pati ftuar, kalon nëpër mendje dorëheqjen time, pa e diskutuar me mua, atëherë veprimi i duhur është dorëheqja", tha ai para shtypit në Kiev. Parlamenti e aprovoi dorëheqjen.

Reforma e shëndetësisë në letër

Ky largim ngërthente një forcë të madhe simbolike. Para një gjysmë viti, Kvatashvilin e shihnin ende si personin me të cilin qenë lidhur shpresat. Ai duhet ta reformonte në mënyrë radikale sistemin shëndetësor. Njeriu që pati futur me sukses në Gjeorgji një sigurim shëndetësor sipas standardeve perëndimore, u emërua që ta bënte të njëjtën gjë edhe në Ukrainë. Në fillim të vitit, Kvitashvili i llogariti paratë e paguara për korrupsion në sistemin shëndetësor të Ukrainës në tetë deri dhjetë miliardë dollarë. Kjo shumë është trefishi i buxhetit të Ministrisë, tha ai. Këto para "mjekët i futin në xhep", kritikoi Ministri.
Shumë gjëra Kvitashvili nuk arriti. Ai i zëvendësoi drejtuesit e departamenteve në Ministrinë e tij, e eleminoi sistemin jotransparent të furnizimit të klinikave shtetërore me medikamente dhe hartoi një reformë rrënjësore të sistemit të shëndetësisë. Në fund të qershorit ai ia paraqiti paketën e reformave qeverisë. Nëse dhe si do ta zbatohet ajo, pas dëbimit të tij faktik mbetet e hapur.

Luftë për pushtet para falimentimit shtetëror?

Shkarkimi i dy ministrave nuk është shenja e parë e vetme e tensioneve në koalicionin qeveritar. Edhe Ministri i Brendshëm, Arsen Avakov dhe Ministri i Mbrojtjes Stepan Poltorak ndodhen nën kritikë. Partia e Presidentit i ka kërkuar qeverisë që të verifikojë kritikat për korrupsion kundër këtyre ministrive, tha në fund që qershorit kryetar i Grupit Parlamentar, Juri Luzenko. Ai vetë shpalli papritur dorëheqjen. Luzenko konsiderohet si person i besuar i Presidentit dhe Kryetar i Partisë së tij. Për sfondin e dorëheqjes së tij ka paqartësi.
Disa vëzhgues shohin në zhvillimet më të fundit para së gjithash një luftë për pushtet në sfondin e gjendjes dramatike ekonomike. Produkti social bruto i Ukrainës, në tremujorin e parë ra me 17,6 përqind. Për tremujorin e dytë dhe të tretë priten shifra të ngjashme. Banka Kombëtare pret një inflacion prej 48 përqind. BE dhe FMN nuk nxitojnë për t'i dhënë Ukrainës ndihma të reja miliardash. Qeveria e Kievit përgatitet për një falimentim të mundshëm shtetëror në fund të korrikut./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat